Fondet e IPARD II 10% më të larta në 2021-in

0
157

Fondet e programit IPARD II, në mbështetje të bujqësisë shqiptare kanë ardhur në rritje nga viti në vit dhe kjo falë akreditimit të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, në zbatimin e procedurave sipas standardeve të BE-së.

Referuar të dhënave zyrtare nga MBZHR, fondet e Programit IPARD II gjatë periudhës janar-gusht 2021, u rritën me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Gjatë vitit të kaluar, 70 për qind e subvencioneve që u shpërndanë në sektorin e bujqësisë ishin nga grantet e BE në programin IPARD.

Fondet e BE për programin IPARDII jepen për “Investime në asetet fizike të njësive bujqësore”, “Investime në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” me fokus sektorët e qumështit, mishit, frutave, perimeve dhe vreshtit.

Ndërsa një nga masat e programit IPARD II është edhe “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus agroturizmin, prodhimin e bimëve mjekësore, kërpudhave, mjaltit, kërmijve.

IPARD II financon grant deri në 65% të vlerës së investimit në sektorët e bujqësisë dhe agropërpunimit. /a.a/