FOTO/ Zona e mbrojtur natyrore e Gurit të Llëngës, atraksion që shton interesin për Pogradecin

0
361

Llëngë, Kanionet, Guri i Llëngës dhe Nikës janë atraksione të tjera të veçanta, që i shtojnë bukurinë Pogradecit dhe të ftojnë për ta eksploruar atë në çdo stinë të vitit.

Pogradeci nuk do të thotë vetëm liqen, koran, por edhe shumë vende për të zbuluar dhe mësuar për to.

Bashkia e Pogradecit ka gati projektin për rehabilitimin e rrugës që të çon në Llëngë.

Bashkia njoftoi se, zbatimi i projektit do të shndërrojë shtegun ekzistues në një rrugë me parametra dhe standarde për të vizituar një zonë të mbrojtur natyrore siç është Guri i Llëngës dhe Nikës.

Aktualisht bashkia po punon fort për të siguruar fondin e realizimit të këtij investimi të rëndësishëm në infrastrukturë rrugore, që i përket një nga zonave më të veçanta me bukuri natyrore.

Llënga ka histori mijëravjeçare dhe prioriteti i bashkisë është jo vetëm infrastruktura në zonë, por edhe zhvillimi i agroturizmit.

Kisha dhe manastiri i Shën Marenës ndodhen në veri të fshatit Llëngë, zonë e Pogradecit, me një pamje dominuese në majë të malit mbi lumin Shkumbin. Kisha është një ndërtesë e vogël afërsisht 8-12 metra e gjatë dhe çdo datë 30 korrik vizitorë nga zona të ndryshme vijnë për peligrinazh, pavarësisht terrenit të vështirë për t’u ngjitur në këtë kishë.

Peizazhi i kësaj zone të ofron jo vetëm mundësinë e turizmit malor, por edhe atë të gjelbër që ka nisur të frekuentohet në çdo stinë.