Gazetari investigativ Artan Hoxha ishte sot për të dhënë deklaratën e tij në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me ngjarjen e 21 janarit 2011, ku humbën jetën 4 persona dhe autori i vrasjeve nuk është gjetur akoma.
Në një ndalesë për gazetarët pas daljes nga Prokuroria, Hoxha është shprehur se kjo është mundësia e fundit që të gjendet autori pasi ka kaluar shumë kohë nga ngjarja dhe tani ka një strukturë të posaçme që mund ta zbardhë. Gjithashtu ai tha se deklaroi informacionin që disponon lidhur me këtë ngjarje dhe se është i gatshëm të bashkëpunojë për zbardhjen e plotë me qëllim qetësimin e shpirtrave të viktimave dhe vënien e drejtësisë në vend.
Hoxha: Ajo që do të kërkoja, këtë çështje ta marrë në dorë SPAKU. Duke marrë parasysh se ky eshtë një krim shtetëror, patjetër është një atribut i prokurisë së posaçme SPAK.
Në atë kohë nuk kanë dhënë deklarata as ish kryeministri Berisha, as ish-presidenti Bamir Topi, as ish-ministri i Brendshëm Lulëzim Basha e as ish-kryeprokurorja Ina Rama.As Edi Rama i cili ka qenë kryetari i opozitës e tani është kryeministër nuk është pyetur atë kohë.
Kjo është mundësia e fundit për ta zbardhur atë ngjarje. E para ka kaluar shumë kohë, kemi një strukturë të re që është SPAK. Është momenti i duhur se nëse nuk zgjidhet dhe në këtë moment nuk ka për tu zgjidhur.
Duhet gjetur kush i ka vrarë katër persona në bulevardin Dëshmorët e Kombit, të cilët ishin me duar në xhepa jashtë perimetrit të sigurisë së Kryeministrisë, vënë nga garda e Republikës.
Prokuroria duhet të shfrytëzojë këtë mundësi që po i jepet. Është një ngjarje që ka ngelur në histori. Ngjan me 2 prillin e 1991.
Unë deklarova informacionin që disponoj dhe për çfarë bëhet fjalë në lidhje me këtë ngjarje. Besoj që hetimi do të vazhdojë e do ketë persona të tjerë që do thirren dhe jam i gatshëm që të vij sa herë të më kërkohet.
Berisha më zhgënjeu me deklaratën e sotme te pjesa e imagjinatës, nuk është më kreativ si më përpara, skishte pse e katandiste këtë tek Ardi Veliu.