Gjykata Kushtetuese merr vendimin për mandatin e Olta Xhaçkës

0
51

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, lidhur me heqjen e mandatit të deputetes së Olta Xhaçkës.

Në vendimin e publikuar në faqen e Gjykatës Kushtetuese, thuhet se kërkesa e PD-së së Berishës për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës rrëzohet me argumentimin se për këtë më parë duhet të shprehet Kuvendi.

Ndërsa, sa i përket kërkesës së grupit të Enkelejd Alibeajt Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë këtë kërkesë duke shpallur si antikushtetues vendimin e socialistëve për mos ta çuar në Gjykatën Kushtetuese legjitimitetin e mandatit të deputetes për ministren e jashtme.

Sipas këtij vendimi, Kuvendi detyrohet ta dërgojë çështjen në GJK dhe mandati i Xhaçkës të shqyrtohet në themel.

“1. Për kërkimin e parë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, gjykimi duhet të pushohet, pasi me vendimin e mëparshëm të saj, nr. 1, datë 23.01.2023, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e këtyre vendimeve.

  1. Për kërkimin e dytë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njofitm.

PD e drejtuar nga Sali Berisha, më herët bënë kërkesë për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçkës.

Sipas kërkesës së tyre Olta Xhaçka, aktualisht ministre për Europën dhe Punët e Jashtme në qeverinë “Rama” ka përfituar drejtpërdrejt të mira publike nëpërmjet vendimeve të Komitetit të Investimeve Strategjike në favor të kompanive në zotërim të bashkëshortit të saj, ish-deputetit socialist, Artan Gaçi dhe familjarëve të tjerë të ministres.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 18.01.2023, në orën 13:45, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 10 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “1. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 2. Konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka””.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

  1. Për kërkimin e parë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, gjykimi duhet të pushohet, pasi me vendimin e mëparshëm të saj, nr. 1, datë 23.01.2023, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e këtyre vendimeve.

 

  1. Për kërkimin e dytë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

 

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës, si dhe në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI

Pushimin e gjykimit të çështjes.