Gjiknuri: Të bëjmë realitet votën e emigrantëve

0
136

Për Partinë Socialiste ka ardhur momenti që të bëhet i mundur votimi i emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar nga KQZ dhe OSBE me temë “Votimet nga jashtë, koha është tani!”, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri theksoi se PS është e gatshme që të marrë pjesë në këtë proces dhe bëri thirrje që të vazhdohet puna për reformën zgjedhore.

“Partia Socialiste është e gatshme. Është momenti të fillojmë punën edhe për Reformën Zgjedhore. Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë palëve politike, që të marrin pjesë sa më shpejt në Komisionin e Reformës Zgjedhore, me qëllim që të fillojmë nga puna. Unë mendoj se kjo është një nga çështjet e para që duhet adresuar, pasi bëhet fjalë për gati 1/3 e elektoratit shqiptar, që mund të jetë shumë dinamik në pikëpamjen e ndryshimit dhe reflektimit të vlerave të tyre, kontributit në politikë edhe në Shqipëri për shkak të peshës që kanë. Partia Socialiste është e gatshme për të marrë pjesë në këtë proces. Garantojmë mbështetjen tonë dhe jemi të bindur, që nëse kjo punë fillon tani, jemi të bindur që e drejta e votës së emigrantëve bëhet realitet”, theksoi Gjiknuri.

Ai u shpreh se PS ka qenë një nga promotorët e kësaj ideje që vota e emigrantëve të bëhet e mundur.

“E kemi vendosur në Kodin Zgjedhor që kjo votë të mundësohet për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Kemi kohë të mjaftueshme. KQZ është në një pozicion të mirë për ta çuar përpara këtë proces. Në raportin e vitit 2021, KQZ doli si organ që i përmbushi detyrat e tij. Ai nuk u përfshi në betejat politike, përkundrazi, tashmë ka një autoritet si nga ana profesionale dhe ajo teknike, për ta çuar përpara këtë proces. Në vite të mëparshme KQZ binte viktimë e akuzave politike në lidhje me integritetin zgjedhor. Nga ana tjetër këtu mund të hapen debate lidhur me të drejtën e përfaqësimit dhe peshën e votës së emigrantëve. Mendoj që zgjidhjet ekzistojnë. Tashmë kemi një Regjistër të Gjendjes Civile, që parashikon regjistrimin e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit me rezidencat e tyre. Pra në listat e zgjedhësve që do të dalin për zgjedhjet e përgjithshme, lista e emigrantëve të jetë e regjistruar në një vend të veçantë dhe vota e tyre të llogaritet aty. Nga kjo pikëpamje kjo siguron integritet dhe komunikim mes KQZ dhe qytetarëve që duan të regjistrohen për të ushtruar të drejtën e votës”, deklaroi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste nënvizoi se KQZ është plotësisht e pajisur me bazën e nevojshme ligjore dhe autoritetin për të eksploruar të gjitha skemat e mundshme, që do mundësonte votën e emigrantëve.

“Në bazë ligjore është shprehur vullneti politik. Akti që do nxjerrë KQZ, e ka mundësinë që të reflektojë opinionet e partive kryesore politike. Jam i bindur që të gjitha palët janë dakord, Partia Socialiste ka qenë nga promotorët e kësaj ideje, që vota e emigrantëve ka ardhur momenti të bëhet e mundur. Natyrshëm, duhet punë edhe për sensibilizimin e qytetarëve, që jetojnë jashtë Shqipërisë për tu regjistruar në këto regjistra, duke deklaruar adresat e tyre për të bërë të mundur më pas ushtrimin e votës”, u shpreh Gjiknuri.