Rama në Panairin e Punës: 13 mijë të punësuar më shumë në mars

0
90
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Durrësi se në mars 2022 janë 13 mijë të punësuar më shumë se sa në mars 2021, ndërsa shtoi se “sot në Shqipëri kemi një pagë mesatare të rritur me 8%”.
Nga Panairi i Punës dhe Aftësive që u zhvillua sot në Durrës, Rama tha se “63 bizneset më të mëdha në rajon ofrojnë 1500 vende të lira pune”.

Kryeministri theksoi se kemi një kërkesë në rritje të kompanive shqiptare dhe të biznesit shqiptar, që nga biznesi i madh deri tek ai i vogël, për të punësuar njerëz të cilët me zhvillimin e strukturës së ekonomisë duhet të kenë dhe aftësi të caktuara.

“Vetëm në këtë shesh ku janë të pranishme 63 punëdhënës ka kërkesë për 1500 të punësuar, ndërkohë që në hapësirën jashtë këtij panairi nga drejtoria rajonale e punësimit në Durrës janë edhe 600 vende të tjera të lira të vëna në dispozicion të të gjithë atyre që kërkojnë të punësohen”, tha Rama.

Sipas Ramës, është reale nevoja e kompanive për të pasur një kualifikim më të lartë të punonjësve.

“Shqipëria po ekspozohet gjithnjë e më shumë në një treg ndërkombëtar eksportesh e importesh ashtu sikur është ende në një një terren me potenciale të pashfrytëzuara në funksion të turizmit. Kjo është arsyeja pse ne si qeveri jemi angazhuar për të rritur mundësitë për trajnim, aftësim, komunikimin me sektorin privat përmes trajnimeve të vazhdueshme, ndërkohë që sot kemi një platformë dixhitale në dispozicion përmes shërbimeve tanimë online të e-Albania e cila krijon mundësi për të gjithë që të orientohen në fushën e trajnimeve profesionale”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se “në mars 2022, sipas statistikave të Regjistrit të Punës, janë 13 mijë të punësuar më shumë se sa në mars 2021”.

“Ky është fakt, ashtu sikundër në 4-mujorin e parë të këtij viti falë edhe gjithë përpjekjes së bërë në mirëkuptim me biznesin për korrektimin e pagave, sot kemi një pagë mesatare të rritur me 8%”, tha Rama.

Rama tha se aktualisht kemi rreth 20 mijë nxënës në shkollat profesionale, ndërkohë që  6600 të papunë kanë ndjekur kurset profesionale dhe një pjesë e mirë e tyre kanë mundur të punësohen.

“Në Durrës ka nevojë të ethshme për krah pune në të gjitha pozicionet, nga kamarierët e nivelit bazik deri te menaxherët. Paga minimale në Shqipëri vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme. Shanset e punësimit në vendin tonë janë duke u zgjeruar, ndaj nxis të gjithë ata që kanë nevojë të punësohen që mos presin që punën ta sjellë shteti në shtëpi, por të aftësohen profesionalisht”, tha Rama. /j.p/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu