GJKKO: SPAK të hetojë Guvernatorin! Skandali i mikrokredive, Gjykata Antikorrupsion ka lënë tre muaj afat për hetime

0
14

Gjykata e Posaçme i ka thënë jo Spak-ut për kërkesën e mbylljes së hetimeve ndaj guvernatorit Gent Sejko dhe rolit të institucionit që drejton në skandalin e mashtrimit financiar me mbledhjen e kredive të këqija dhe mikrokreditë

Në vendimin e gjyqtares Flora Hajredinaj shkruhet se nuk është i pranueshëm kërkesa e prokurorisë për të mbyllur hetimet mbi rolin e guvernatorit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Në këto kushte i ka dhënë SPAK tre muaj kohë për të dalë në konkluzione të arsyeshme mbi roli ne zyrtarit të lartë.

Hetimet për mashtrimin financiar me mbledhjen e borxheve të këqija nisën fillimisht nga Prokuroria e Tiranës, e cila gjatë veprimeve hetimore dyshon edhe për shkelje nga zyrtarët e lartë të Bankës së Shqipërisë.

Mashtrimi financiar me mbledhjen e borxheve të këqija dërgoi në masa arresti ortakët e firmave të licencuar për mbledhjen e kredive të këqija dhe të mikrokredisë Microcredit Albania dhe FINAL si edhe përmbarues privatë.

Këto dy firma rezultojnë se kanë mashtruar qytetarët duke i futur në një spirale borxhesh nëpërmjet mikrokredive, tarifash dhe kamatash, ndërsa më pas iu sekuestronin pronat në vlerë deri në pesë herë më të larta se vlera fillestare e kredisë së marrë.

Një nga këta viktima ishte dhe Pal Trashaj, që vendosi t’i japë fund jetës përpara SPAK- duke pirë fotoksinë.

Sipas njoftimit, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 11.06.2024, Nr. Regj.Them 90, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt: Kërkohet pushimi i çështjes penale nr.1360/2022 të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” së parashikuar nga neni 248 i K.Penal, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 112, 75/a; 128, 128/a, pika 1, shkronja “b”, 131/2, 332/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale si dhe ligjit nr. 95 datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionin e institucioneve për të luftuar Krimin e Organizuar”, me vendimin Nr. 90, datë 10.07.2024, vendosi:

1. Deklarimin e pavlefshmërisë absolute të aktit “Kërkesë për pushimin e procedimit penal nr.1360, të vitit 2022 të Prokurorit, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, që ka si objekt hetimin e vepës penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj të kallëzuarit Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

2. Kthimin e akteve të procedimit penal nr.1360/2022 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve, prokurores Dorina Bejko, në Prokurorinë
e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

3. Veprimet hetimore të urdhëruara në pjesën arsyetuese të këtij vendimi duhet të kryhen brenda 3 (tre) muajve.

4. Caktimin e seancës gjyqësore paraprake datë 16.10.2024, ditë e mërkurë, ora
10:00.

5. Urdhërohet sekretaria e gjykatës t’i njoftojë vendimin Drejtuesit të
Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

6. Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar brenda afatit ligjor.

 

Top Channel