Hado: Kujt i shkon shpërblimi në shtëpi, bankë dhe kur digjet, afati i fundit për pensionistët

0
184

Prej ditës së djeshme ka nisur shpërndarja e shpërblimit të fundvitit prej 5 mijë lekësh për pensionistët në të gjithë vendin. Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado i ftuar mbrëmjen e sotme në “Radarin Informativ” në “ABC” u shpreh se pensionistët kanë afat dhe mund ta tërheqin shpërblimin së bashku me pensionin në sportelet e postës ndërsa ata që e tërheqin pensionin në bankë do t’u kaloj automatikisht nga dita e hënë.

Parimi është që qytetarët do të marrin shpërblimin atje ku marrin pensionet. Ata që e marrin në shtëpi, posta shqiptare do ua çojë në shtëpi edhe shpërblimin. 688 mijë janë parashikuar për të marrë bonusin, të gjithë pensionistët, plus edhe rreth 3 mijë veta që ose kanë aplikuar ose do të aplikojnë, që do ta marrin kur të marrin këstin e pensionit.

65 mijë veta e marrin pensionin në bankë dhe automatikisht e marrin të hënën. Vetëm dje dhe sot janë paguar 100 mijë bonuse. Mund të arrihet të paguhen të gjithë brenda muajit, pasi jo të gjithë e marrin me baza mujore. Një pjesë janë jashtë shtetit dhe vijnë kur u krijohet mundësia, ka edhe pensionistë që e marrin njëherë në 3 muaj, 6 apo një vit pensionin” tha ai.

Po çfarë ndodh me ata që ndodhen jashtë vendit, a u digjet shpërblimi? “Limiti është 36 muaj për bonusin. Një pension i caktuar edhe i kredituar në llogarinë e tyre virtuale kanë të drejtë ta tërheqin deri në 36 muaj. Një qytetar që për 36 muaj nuk e ka tërhequr pensionin sigurisht që do të humbasë edhe bonusin. Janë tre vjet. Plus që ka edhe mekanizma të tjerë për qytetarët që janë jashtë për ta tërhequr. Duke e marrë në bankë ose me prokurë” tha ai.

Gazetarja Jonida Shehu u ndal te dixhitalizimi dhe cfarë po ndodh me pensionistët tashmë që shërbimet fizike kaluan online? “Sigurisht që është e vështirë, se ka të bëjë edhe me aksesin në internet. Ne kemi një numër të konsiderueshëm qytetarësh në fshat me internet të limituar.

Ky është një ushtrim i kryer, ne kemi filluar që në janar të 2020 për aplikimet online. Ka sportele për asistencë për të gjithë ata që nuk munden të plotësojnë dokumentacionin online. Kjo fazë tranzitore do të zgjasë deri në atë moment kur qytetarët do të jenë të aftë ta bëjnë të gjithë online” deklaroi ai./ Abcnews.al