Shqipëria renditet ndër vendet që kanë një numër më të ulët mjekësh në raport me popullsinë në botë, sipas një harte të publikuar në faqen e Organizatës Botërore për Shëndetësinë (OBSH).
Shqipëria, ka vetëm 12 mjekë për 10 mijë banorë, shifër që është më e ulëta në Europë. Maqedonia e Veriut ka 29 mjekë për 10 mijë banorë, Serbia (31), Mali i Zi (27), Bosnja (22). Rekordin në Europë e mban Greqia, me 55 mjekë për 10 mijë banorë. Italia e ka këtë tregues 40, Gjermania 42.5, Suedia (e vetmja që nuk e mbylli ekonominë nga koronavirues) e ka rreth 40, Austria 51.7.
Më pak mjekë se Shqipëria kanë vetëm vendet afrikane (disa kanë edhe më pak se 1 mjek për 10 mijë banorë, psh në Kongo me 0.7 mjekë). Shqipëria ia kalon dhe shteteve të tilla si Indisë (8.6), Pakistanit (9.8), Afganistanit (2.8).
Në botë, më shumë mjekë ka Lituania, me 63 për 10 mijë banorë.Kina e ka këtë tregues 20, Rusia 37.5, SHBA-të 26.
Pandemia e Covid-19 ka sjellë në vëmendje aftësitë e sistemeve shëndetësore në mbarë globin për të përballuar ngarkesën që mund të shkaktohet nga virusi.
Të dhënat e Shqipërisë që jep OBSH-ja i referohen vitit 2016, ndërkohë që vlerësohet që situata është përkeqësuar, për shkak të emigracionti masiv të bluzave të bardha gjatë viteve të fundit.
Numri i pakët i personelit mjekësor është një nga shqetësimet e shprehura në raportet e institucioneve ndërkombëtare, së bashku me nivelin e ulët të shpenzimeve për shëndetësinë.
OKB, në një raport të fundit tha se “Duhet theksuar se shpenzimet publike për shëndetësinë si pjesë e PBB-së janë më të ulëta në Shqipëri (2.97%) sesa në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore, dhe parashikimet për vitet 2020-2022 tregojnë një ulje të lehtë në 2.94% deri në vitin 2022. Kjo tendencë është veçanërisht shqetësuese nëse duhet të ndërtojmë dhe të fuqizojmë një sistem shëndetësor më të mirë. Projeksioni i OBSH për vitin 2020-2022 tregon se Shqipëria do të shpenzojë për tre vitet e ardhshme më pak se 10% për shëndetin nga paratë e përgjithshme publike. Rënia e burimeve për kujdesin parësor është shqetësuese. Strategjia për zhvillimin e kujdesit parësor në Shqipëri kërkon një buxhet të rritur në 25%. Roli i rëndësishëm i kujdesit parësor në përgjigjen dhe shërimin e COVID 19 është i rëndësishëm”, thuhet në raport.
Për pasojë, numri i mjekëve për banorë është në nivelet më të ulëta në Europë.
Sakaq, migrimi i madh i brendshëm nga zonat rurale në zonat urbane ka ndikuar në keqkonfigurimin e rrjetit të ofruesve të kujdesit shëndetësor ndaj nevojave të popullsisë. Trupa mjekësore prej zonave rurale, sidomos të thella, ka lëvizur drejt zonave urbane. Kjo lëvizje ka ndikuar edhe në ndryshimin e raporteve të mjekëve dhe infermierëve me popullsinë.
Nga viti 2010 në vitin 2017 janë larguar nga vendi 772 mjekë, me arsim të përgjithshëm ose me specializime pasuniversitare, sipas të dhënave nga Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Vjenës.
Ky numër përfaqëson më shumë se tre gjenerata të dala nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, ku diplomimet mesatare në një vit janë më pak se 200 mjekë. Kjo do të thotë se nga 7 gjenerata të diplomuarish, 3 kanë emigruar gjatë periudhës në studim.
Gjithsej numri i mjekëve shqiptarë në emigrim është 1029, por 772 prej tyre kanë emigruar nga viti 2010 deri në 2017, por ky numër realisht është edhe më i lartë pasi nga 2017 në 2020 emigrimi i trupës mjekësore ka vijuar me ritme të larta.
monitor.al
dosja.al