Hiqet masa e bllokimit të aktivitetit për moslëshim të kuponit tatimor para afatit 30 ditor, nëse shlyhet gjoba

0
300

Për rastet kur konstatohen shkeljet e moslëshimit të kuponit tatimor që çojnë deri në bllokimin e aktivitetit, qeveria në ndryshimet e projektligjit “Për procedurat tatimore”, miratoi heqjen e masës së bllokimit përpara afatit 30 ditor, nëse paguhet i plotë detyrimi, bashkë me kamatvonesat dhe gjobat.

Biznesi do të vazhdojë të përdorë kasat ekzistuese fiskale dhe t’i mirëmbajë ato deri më 1 shtator 2021 kur nis procesi i fiskalizimit për transaksionet me para në dorë për sistemin biznes-konsumator. Këto ndryshime në ligjin për procedurat tatimore të miratuara nga qeveria, i janë dërguar për miratim edhe Parlamentit.

“Me qëllim dhënien e mundësisë tatimpaguesve për të mos e ndërprerë aktivitetin për një periudhë 30-ditore, kur konstatohet shkelja sipas paragrafit “ii”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 122, të ligjit, propozohet heqja e masës së bllokimit të aktivitetit përpara afatit 30-ditor, nëse tatimpaguesi shlyen të plotë dënimin (tatim, kamatvonesë dhe gjobat) sipas këtij paragrafi”, përcaktohet në relacion.

Sipas ligjit të procedurave tatimore, biznesi që nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve pas konstatimit (verifikimit) të kryer, gjobitet me gjobë në masën 50, 000 lekë dhe përveç masës së gjobës për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat alternative, të parashikuara në ligj.  Po ashtu ligji i procedurave tatimore përcakton se nëse pas konstatimit (verifikimit) të parë,  tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, përveç aplikimit të gjobës merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike.

Përsa i prket pajisjeve fiskale, ndryshimet ligjore nënvizojnë se këto sisteme do të vazhdojnë të mirëmbahen.  “Në këto kushte, lind e nevojshme që paralelisht, të bëhet një rregullim lidhur me funksionimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale ekzistuese (të cilat përdoren për transaksionet me para në dorë) deri në momentin e fillimit të efekteve të ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit. Duke qenë se pajisjet fiskale ekzistuese rregullohen nga dispozitat e ligjit për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, rregullimi i nevojshëm adresohet te dispozita kalimtare e këtij ligji.Aktualisht, të dhënat e transaksioneve me para në dorë të tatimpaguesve raportohen nëpërmjet sistemeve fiskale ekzistuese. Këto sisteme do të vazhdojnë të funksionojnë në të njëjtën mënyrë deri në fillimin e efekteve ligjore të ligjit të fiskalizimit”.

Në projektligj shpjegohet se afati i procesit të fiskalizimit për transaksionet me para në dorë, nga 1 shtatori 2020, u shty për në 1 shtator 2021, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia globale COVID-19, si dhe problematikave të shkaktuara nga pikëpamja ekonomike dhe sociale.

Ndërsa për ata tatimpagues që kryejnë transaksione pa para në dorë me qeverinë nuk do të ketë shtyrje të procesit do të nisë më 1 janar 2021. Për transaksionet mes tatimpaguesve pa para në dorë do të jetë më 1 korrik 2021 ashtu siç ka qenë i parashikuar.

Kjo është hera e katërt që qeveria ndryshon afatet e fiskalizimit, një proces që do të ndryshonte tërësisht mënyrën se si bizneset e bëjnë procesin e faturimit dhe do i detyronte bizneset të përshtateshin me teknologjinë e re. E parashikuar të niste më janar 2020, me kërkesë të bizneseve për shkak të kohës së paktë që kishin në dispozicion, fiskalizimi u shty për në mars 2020.  Më pas u shty për herë të tretë për të nisur më 1 shtator 2020 për transaksionet me para në dorë nga bizneset me të ardhura mbi 8 milionë lekë.

 

Ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore

Neni 1

Në fund të nënndarjes “ii”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 122, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje: “… Masa e bllokimit të veprimtarisë hiqet para afatit 30-ditor, nëse tatimpaguesi paguan dënimin, sipas këtij paragrafi; …”.

 

Neni 2

Në kreun XV, pas pikës 5, të nenit “Dispozita kalimtare”, shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:

“6. Pajisjet fiskale, të ofruara nga shoqëritë e autorizuara, me të cilat janë pajisur tatimpaguesit para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vijojnë të funksionojnë dhe të mirëmbahen nga këto shoqëri, për aq sa nuk bien në kundërshtim me ligjin nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.

Deri në datën e fillimit të efekteve juridike, sipas nenit 48, të ligjit nr.87/2019, shoqëritë që kanë qenë të autorizuara, sipas vendimit nr.781, datë 14.11.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, dhe iu ka përfunduar afati i autorizimit, përpara apo gjatë periudhës kalimtare, vazhdojnë të ofrojnë shërbimin e mirëmbajtjes të pajisjeve fiskale për tatimpaguesit. Përcaktimet e këtij paragrafi nuk përjashtojnë përmbushjen e detyrimeve sipas ligjit nr.87/2019.”.