Humbi jetën duke punuar në Maltë, kush është burri nga Librazhdi që e zuri çatia poshtë

0
79

Mediat në Maltë kanë publikuar identitetin e shqiptarit i cili pak ditë më parë humbi jetën teksa punonte. Bëhet fjalë për Bari Ballën, 51 vjeç. Ai humbi jetën kur po punonte në çatinë e një shtëpie, e cila u shemb duke e zënë poshtë. Së bashku me të punonte edhe dhëndri i tij, një 31-vjeçar, por ai arriti të shpëtonte.

Balla është nga Librazhdi dhe jetonte e punonte në Maltë dy vitet e fundit. Ai është baba i 6 fëmijëve, më i vogli vetëm 12 vjeç. Tashmë të afërmit e tij kërkojnë ndihmë për të sjellë trupin e të shtrenjtit të tyre në atdhe dhe për këtë arsye kanë ngritur një faqe në GoGetFunding.

Sipas asaj që shkruajnë mediat, fillimisht të shtunën në mëngjes u shemb një mur e kjo shkaktoi më pas shembjen e çatisë. Dy punëtorët shqiptarë, mes tyre Balla, po testonin nëse kantieri mund t’i rezistonte punimeve të planifikuara pasi bëhej fjalë për një shtëpi të ndërtuar në vitin 1920.

Ndërsa zhvilluesit e projektit, Oratorian Capital, në pronësi të Samuel Borg dhe Luca Miceli Demajo, kishin të miratuar lejen nga Komisioni i Planifikimit, ata ende nuk mund të fillonin punimet derisa të kalonte afati i kundërshtive.

Arkitekti Darryl Cutajar ka aplikuar në emër të tyre për të zgjeruar banesën ekzistuese me një kat më tej dhe për të kryer ndryshime e zgjerime të vogla në katet e mëposhtme. Sipas aplikimit, në fund do të mundësohej që në banesë të kishte hapësira banimi në të gjitha katet.

Pas incidentit, Autoriteti i Ndërtimit deklaroi se punimet në fjalë po kryheshin pa lejet e nevojshme. Edhe Autoriteti i Shëndetit dhe Sigurisë në Punë lëshoi një deklaratë ku thuhej se nuk janë depozituar dokumentet e nevojshme e për rrjedhojë nuk ishin njoftuar për punimet.