Humbja ndaj Partizanit, reagon presidenti Halili: Vazhdojmë përpara, të ndjekim vendin e parë për të kapur të dytin

0
190

Humbja e derbit të kryeqytetit ndaj Partizanit, duket se nuk ka lënë një shije të mirë në kampin bardheblu.

Menjëherë pas sfidës në një intervistë për mediat është shfaqur presidenti i Tiranës, Refik Halili.

Ai tha se kjo humbje e largon akoma më shumë Tiranën nga kreu i renditjes, e cila aktualisht mbahet nga Vllaznia.

Presidenti theksoi se klubi i tij do të luaj shanset deri në fund për fitimin e kampionatit, por shtoi se nuk do të hidhërohej në rast të një hapi fals të të tijve.

Refik Halili: Kjo ndeshje që ne humbëm si ekip, na largon nga kreu i klasifikimit që sot është Vllaznia me meritë. Ne do të vazhdojmë të punojmë, të respektojmë kampionatin, të vazhdojmë të ecim përpara. Kam besim tek skuadra, tek çunat. Krahas kësaj kam besim sepse kthehet një grup lojtarësh gjatë këtyre dy javësh dhe kontingjenti do të jetë më i plotë.

Gazetarët: Ju vjen keq për rastin e humbur nga Seferi në rastin e parë?

Refik Halili: Ka raste, ka humbje, e rëndësishme është që ne të punojmë e të ecim përpara.

Gazetarët: A është dorëzim për titullin me sa kuptova në fjalët e para?

Refik Halili: Shiko nuk dua të them që jemi dorëzuar. Unë kam thënë që është shpejt për të folur për titullin, por fakti është që po i largohemi shumë kreut të klasifikimit, megjithatë  të ndjekim vendin e parë që të kapim të dytin apo të tretin.

Gazetarët: Gjithsesi të qëndrojë në zonën e Evropës është një objektiv tani për Tiranën?

Refik Halili: Shiko më mirë të mos shkojmë fare në Evropë. Dëshira ime është që të shkojmë drejt titullit, nëse është e mundur le të vazhdojmë, nëse jo, nuk ka problem ky është kismeti.