Një 18-vjeçar ka rënë në prangat e policisë për trafikim të klandestinëve. I riu kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për krimet kundër narkotikëve dhe u kap duke transportuar transportonte 20 emigrantë me një automjet furgon.
“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm, kundrejt shpërblimit monetar, nga Tirana në drejtim të Kukësit, me mjete të marra me qira, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Krujë, finalizuan operacionin policor të koduar “Krasta”.Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 18 vjeç, i cili ishte me masë sigurimi personal “Arrest në shtëpi”, e caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës” njofton policia.
Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi I. Ç., 27 vjeç, i dënuar më parë për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i monedhave”.
Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën Tiranë-Rinas, duke transportuar me një mjet furgon, 20 emigrantë të paligjshëm, me destinacion qytetin e Kukësit.
Nga ana e shërbimeve të Policisë është bërë ndjekja e mjetit tip furgon dhe më pas ndalimi i tij në zonën e liqenit të Krastës në qytetin e Krujës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.