Ia hoqën Zenelit ia vunë Gështenjës, dëshmia e 8 numëruesve të akuzuar për falsifikimin e 38 votave në Prrenjas

0
114

Ora News siguron dëshminë e 8 numëruesve të KZAZ nr 53 në Prrenjas ku janë konstatuar parregullsi në rezultatin e numërimit në procesin zgjedhor të 25 prillit 2021.

Bëhet fjalë për tabelën e rezultatit për kanditatët për deputet në qendrën e votimit  nr.2796, për  Partia/Koalicioni Partia Demokratike “Aleanca Per ndryshim” ku ka ndryshime votash plus 38 vota për kandidatin Lefter Gështenja dhe minus 38 vota për kandidatin Ardian Zeneli nga krahasimi me faktin e votave në kuti.

6 nga 8 numëruesit u arrestuan më 29 qershor 2022 për akuzën  “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” sipas nenit 326 të Kodit Penal, ndërkohë dy u shpallën në kërkim.

Sot ata dolën para gjykatës së Elbasanit për vlerësimin e masës së sigurisë dhe gjykata njoftoi lirimin e tyre me masën “Detyrim me paraqitje”. Po sot policia informoi se kishte arrestuar dhe një nga 2 numëruesit e shpallur në kërkim Oltin. B.

Por çfarë kanë dëshmuar numëruesit?

Për 8 komisionerët e PD-së, LSI dhe PS të cilët akuzohen se kanë falsifikuar rezultatin në dy QV, nr. 2780 dhe nr 2796 kemi të bëjmë me një gabim njerëzor i shkaktuar nga lodhja dhe orët e zgjatura.

 Dëshmitë

Erald K. caktuar nga PD si numërues votash

“Unë nuk kam bërë ndonjë gabim me dashje por fakti që ekziston them se mund të jetë bërë gabim  nga lodhja nga orët e zgjatura. Kjo ka qenë për mendimin tim”

Eduard Z. caktuar nga LSI si  numërues votash

“Nuk di çfarë të them. E vërteta është se une e kam firmosur këtë tabelë rezultati  por nuk  e di që të mos jetë shënuar rezultati faktik”.

Ylli K. caktuar nga PS si numërues votash

“Unë nuk di të them se si është bërë ky ndryshim votash në këtë tabelë rezultati të kësaj kutie votimi,mendoj se do të jetë bërë gabim nga lodhja pasi nuk ka patur asnjë interes për ndryshimin e rezultatit.”

Oltjon B. caktuar nga PS si numërues i votave në KZAZ 53

“Nuk di të them si është bërë ky ndryshim votash në këtë tabelë rezultati të kësaj kutie votimi,mendoj se do të jetë bërë  gabim nga lodhja  dhe nga puna e gjatë, tavolina ka qene e ngushtë , dhe kur ndaheshin fletët për secilin kandidat mund të jenë ngatërruar. Them se është një pakujdesi”.

Durim A. mësues u caktua nga PS si numërues në KZAZ nr 53 në Prrenjas

“Unë  mendoj se është një gabim njerëzore dhe me sa mbaj mend  kjo kuti ka qenë në momentet e fundit të numërimit”

Erjon D. I papunë. U caktua nga PD si përfaqësues në numërimin  e votave në KZAZ  Nr.53, ne bashkin Prrenjas.

“Unë  them se eshte një gabim njerëzor, nuk është e qellimshme. Ky veprim është bërë nga pakujdesia , si rezultat i lodhjes  dhe pa asnjë lloj interesi”

Mili V. i papunë. Ishte caktuar nga LSI si numërues I votave në KZAZ në 53 në bashkinë Prrenjas

Unë them se është një gabim njerëzor, nuk është e qëllimshme. Ky veprim është bere nga pakujdesia , si rezultat i lodhjes  dhe pa asnjë lloje interesi”

Algert A. punëtor në bashkinë Prrenjas, i caktuar nga PS si numërues i votave në KZAZ nr 53

“Une  mendoj se është një gabim njerëzore dhe me sa mbaj mend kjo kuti ka qenë në momentet e fundit të numërimit.

Desha te shtoj se ne KZAZ nr.53  ku une kam qenë numërues i votave  vetëm për kandidatët e subjekteve politike, e kemi kryer detyrën  në rregull dhe nuk kemi patur asnjë kontestim, dhe asnjë  problem. Për këtë kuti që ka dalë  vetëm nje gabim  siç thashë duhet të jetë gabim njerëzor jo me dashje’

Akuza 

Ata akuzohen për “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” sipas nenit 326 të Kodit Penal ku parashikohet:

“Falsifikimi, shpërndarja ose përdorimi i fletëve të votimit, i dokumenteve dhe materialit zgjedhor, me qëllim ndryshmin e rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet paraqitjes në to të të dhënave, që dihen se janë të pasakta, zëvendësimi i të saktave me të rreme ose nëpërmjet futjes në kuti të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër kur kryhet nga personat që kanë për detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, ose ka sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e votimit, ka cenuar integritetin e rezultatit të zgjedhjeve apo ka sjellë pavlefshmërinë e tyre, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet”

“Ekziston dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova se, personat nën hetim Erald K, Ylli K,Oltion B. dhe Eduart Z., numerus  ne  QV nr. 2780, KZAZ nr. 53, Qarku Elbasan në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe personat nën hetim Durim A., Erjon D., Mili V. dhe Olgert A. numërus në QV nr. 2796, KZAZ nr. 53, Qarku Elbasan, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementet e vepres penale penale të “Falsifikimin e materialit zgjedhor dhe rezultatit të zgjedhjeve”, të parashikuara nga neni 326/2  e 25 të Kodit  Penal” argumenton prokuroria.

Pse “arrest me burg”?

Prokuroria vlerësoi se duhet të caktohet masa e sigurisë arrest me burg pasi “autorët e kësaj vepre  penale paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore, sepse ata në lidhje me faktin penal që ju është atribuuar kanë mbajtur qëndrim mohues duke paraqitur alibinë se veprimi është kryer me pakujdesi apo dhe në kushtet e lodhjes ndërkohe që kanë qënë vetë ata që kanë pranur detyrën admnistratorit të zgjedhjeve në rolin e numeruesit të votave”

Gjykata e Elbasanit nuk pranoi kërkesën e prokurorisë por caktoi sot masën e sigurisë “detyrim me paraqitje”

Numeruesit e dy QV 

QV nr. 2780, KZAZ nr. 53, Qarku Elbasan, u numërua nga Grupi i Numërimit i përbërë nga shtetasit; Erald K.,Ylli K.,Oltjon B. dhe Eduart Z..

QV nr. 2796, KZAZ nr. 53, Qarku Elbasan numëruar nga Grupi i Numërimit i përbërë nga shtetasit;Durim A., Erjon D., Mili V. dhe Olgert A.

Si nisi hetimi

Më datë 14.10.2021 Komisionëri Shtetëror i Zgjedhjeve përzgjodhi në mënyrë rastësore 519 qendra votimi (QV) që përfaqësonin 10% të qendrave të votimit për çdo KZAZ nga 5199 QV.

Për këqyrjen e kutive të votimit dhe materialeve të votimit për këto 519 QV u ngritën 8 grupe për këqyrje të cilët vlërësuan dhë administruan procesverbalet përkatëse për administrimin e informacionit.

Ky proces përfundoi më datë 02.11.2021 i cili vijoi më pas me përpunimin dhe analizimin e të dhënave për përgatitjen e raportit përmbledhës.

”Gjatë procesit të këqyrjes së mëpasshme të fletëve të votimit rezultoi se anëtarët e grupeve të numërimit që kanë numëruar votat për këto qendra, kanë shënuar në tabelën e rezultatit të grupit të numërimit numër më të vogël votash një apo më shumë kandidatë të subjekteve zgjedhorë dhe numër më të madh votash për një apo më shumë kandidatë të të njëjtit subjekt zgjedhor, krahasuar me numrin real të votave që u gjendën në kutinë e votimit. Në këtë mënyrë rezultati i qëndrës së votimit për kandidatët e listave shumemërore të subjekteve nuk pasqyron rezultatin real të cilët zgjedhësit e këtyrë qendrave kanë shprehur nëpërmjët votimit, duke favorizuar një apo më shumë kandidatë të listavë shumemërore të subjëkteve zgjedhorë.” thuhet në dokumentin e prokurorisë.

Në këto kushte KQZ ka vendosur të bëj kallëzim penal ndaj shtetasve të sipërcituar me detyrë anëtarë të Grupeve të numërimit, pasi ka indicie se personat kanë konsumuar elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 326 i Kodi Penal.