Java e Demokracisë, Llatja në Norvegji: Rrjetëzim ndërmjet qyteteve shqiptare dhe norvegjeze

0
131

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja ka marrë pjesë në takimin e organizuar me drejtues të partive politike të Këshillit të Bashkisë Kristiansand, Norvegji.

Ky takim është organizuar në kuadër të eventit të organizuar për “Javën e Demokracisë” “Democracy Week”, me ftesë të kryetarit të bashkisë, Jan Oddvar Skisland.

Qëllimi i këtij takimi ishte për të ndarë praktikat më të mira në vullnetarizmin lokal dhe për të prezantuar prioritetet dhe eksperiencën e bashkisë Elbasan.

“I lumtur të prezantoja praktikat e mira të bashkisë Elbasan, përfshirjen e gjerë të qytetarëve në proceset vendimmarrëse lokale përmes buxhetimit me pjesëmarrje dhe Këshillin Vendor të Sigurisë Publike si një model suksesi”, tha Llatja.

Ky takim u organizua falë organizatës PVN Shqipëri për rrjetëzimin ndërmjet qyteteve shqiptare dhe norvegjeze.

Takimi i zhvilluar në bashkinë Kristiansand me kryetarin e bashkisë, administratën lokale së bashku me kolegët kryetarë të bashkive Lushnjë, Berat dhe Tropojë ku u ndanë eksperiencat e secilit në kuadër të përfshirjes së programeve të vullnetarizmit dhe ku u prezantuan mundësitë dhe sfidat e Bashkive Elbasan, Berat, Tropojë, Lushnjë.

Në këtë tur, kreu i bashkisë Llatja ka zhvilluar një takim edhe me drejtuesin e Dhomës së Tregtisë në Kristiansand, ku u diskutua rreth mundësive për rritjen e prezencës së sipërmarrësve norvegjezë në Shqipëri, ku një rëndësi e veçantë ishin mundësitë në sektorin e turizmit.