Kallashnikov, pistoletë dhe tritol, goditen 2 raste me armëmbajtje pa leje në Sarandë! Të arrestuarit me precedentë të mëparshëm penalë

0
22

Dy raste të armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, janë goditur brenda 24 orëve të fundit në Sarandë ku u organizuan operacionet “Strike 11” dhe “Strike 12”.

Gjatë operacionit të zhvilluar në Sarandë, u arrestua 35 vjeçari A.S pasi iu gjetën doza kanabisi që dyshohet se i shiste në zona të ndryshme të qytetit të Sarandës. 35 vjeçari rezulton të ketë precedent penalë të mëparshëm në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.

Policia ka publikuar edhe videon e aksionit për kapjen e tij ku shihet teksa 35 vjeçari tenton të largohet me vrap pasi kuptoi se po ndiqej nga efektivët.

Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij , policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri kallashnikov, 1 kallëp tritoli, 1 krehër me municion luftarak, një sasi lënde narkotike cannabis, një sasi farash cannabisi dhe një shumë parash të dyshuara të falsifikuara.

Po ashtu në operacionin e zhvilluar në Ksamil, u arrestua një 46 vjeçar i identifikuar si S.M me precedent të mëparshëm në fushën e vjedhjes. Gjatë kontrollit të bërë në banesën e tij, u gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 1 mjet prerës (thikë), 1 palë pranga, disa fishekë arme gjahu, një shumë parash në euro dhe 8 celularë.

Materialet procedurale për të dyja rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.

 

Top Channel