15.4 C
Elbasan
Ballina EKONOMI Kazinotë ndajnë politikën, mazhoranca: Ndihmon ekonominë; Opozita: Vendim elektoral

Kazinotë ndajnë politikën, mazhoranca: Ndihmon ekonominë; Opozita: Vendim elektoral

0
222

“Në territorin e Republikës së Shqipërisë nga 1 janari nuk do të ngrihet asnjë qepen për baste. Duke nisur nga data 31 dhjetori i këtij viti do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë elektronike” do të deklaronte Kryeministri me 9 tetor 2018.

Pavarësisht se Edi Rama dhe qeveria e tij 2 vjet më parë u zotua me ligj që do t’i nxirrte kazinotë jashtë qendrave të banuara, me një vendim të Këshillit të Ministrave i rikthen në mes të Tiranës.

Ekzekutivi, me anë të një VKM të publikuar në Fletoren Zyrtare, ka përcaktuar edhe zonat ku do të lejohet vendosja e lojërave të fatit në kyeqytet.

Kushti për të marrë licencën e një kazinoje lidhet me kapitalin prej të paktën 1.2 mld lekë.

Deputetët socilialistë e mbrojnë vendimin e qeverisë së tyre, pavarësisht se mendojnë që ligji i 2018 ishte i mirë.

“Nuk mund të mohojmë realitetin që ka nevojë edhe për të ndihmuar ekonominë dhe turizmin, siç e kanë vendet e tjera dhe është e parashikuar në ligj, patjetër të kemi kazino”.

“Nuk mund ta jap dot mendim se nuk kam qenë as në rolin e lojtarit dhe as të vuajtësit të këtyre gjërave.”

Ndërsa deputetë të tjerë të mazhorancës preferuan të ndryshojnë drejtimin e tyre përpara faktit se të mbrojnë një VKM që kërkon të hedhë poshtë ligjin e miratuar po nga ata.

Opozita në parlament mendon se Rama po e përdor këtë vendim për përfitime elektorale.

“Edhe kjo është një pjesë e lëshimeve të njëpanjëshme për të kënaqur grupe të caktuara interesi që ti shërbejnë votës së 25 prillit.”

“Patjetër kundra.”

Por edhe në këtë grup ka deputetë që nuk e kanë një mendim të tyre për rikthimin e kazinove në qendër të Tiranës.

Lëvizja Socialiste për Integrim i kujton Ramës deklaratat e bujshme për mbylljen e kazinove në zonat urbane, ndërsa kritikon Kryeministrin se po mashtron shqiptarët.

“Ky kryeministër dhe kjo qeveri janë thjesht dhe vetëm kufoma politike që vinë vërdallë rrugëve tona por që me erën e qelbur të tyre po u mbysin frymëmarrjen qytetarëve të ndershëm.”

Vendosjen e kazinove në qendër të Tiranës nga ana e qeverisë së Edi Ramës, Partia Demokratike, nëpërmjet Dorian Telitit, e ka cilësuar rikthim në skenën e krimit.

ora tv