Këshillat për Ramazanin, për ata që vuajnë nga sëmundjet kronike!

0
150

Për besimtarët myslimanë ka filluar muaji i rëndësishëm i Ramazanit , gjatë të cilit agjërohet në një interval kohor që zgjat mes lindjes dhe perëndimit të diellit. Si pasojë e ndryshimit të regjimit të ushqyerjes, shumë persona ndërrojnë me iniciativën e tyre edhe mënyrën sesi i përdorin barnat gjatë këtij muaji, por kjo sjellje nuk vjen pa rreziqe për shëndetin e tyre. Për këtë arsye po ju parashtrojmë disa këshilla për t’u marrë në konsideratë gjatë këtij muaji duke u përqëndruar tek tre grupet me numër më të madh agjëruesish: ata që vuajnë nga dhimbja e shpeshtë e kokës, ata që vuajnë nga hipertensioni dhe ata që vuajnë nga diabeti.

• Personat që vuajnë nga dhimbje të shpeshta koke, duhet të ndjekin një rregjim të rregullt gjumi dhe ushqimi që nuk vlen vetëm gjatë muajit të Ramazanit. Oraret e fjetjes, të zgjimit dhe të ngrënies duhet të jenë sa më të rregullta, sigurisht që vaktet ushqimore të jenë të shëndetshme dhe plot lëngje. Gjatë muajit të Ramazanit këta persona duhet patjetër të konsumojnë vaktin e mëngjesit dhe të mos e anashkalojnë asnjëherë atë. Edhe pse kjo këshillë vlen për të tërë agjeruesit, ky grup është tejmase i ndjeshëm ndaj luhatjes së kalorive, kripërave dhe lëngjeve në organizëm. Sasia e lëngjeve që konsumohen duhet të jetë sa më e lartë dhe duhet shmangur sa më shumë qëndrimi në mjedis të nxehtë.

• Një grup tjetër që meriton vëmendje është grupi i personave që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni). Tensioni i lartë gjakut është problem në vetvete, sepse përgjithësisht rritja e tij në shumicën e rasteve nuk kuptohet nga individi. Personat me hipertension shpesh herë e nënvleftësojnë rrezikun që vjen nga tensioni i lartë.
Në periudhën e Ramazanit luhatja e tensionit mund të jetë problem në të dyja drejtimet, si në ngritjen ashtu dhe në uljen përtej normës. Gjithsesi problematika që haset më shpesh është ulja e tensionit si pasojë e dehidratimit të trupit nga mungesa e konsumit të lëngjeve. Ndërsa ngritja e tensionit mund të vijë nga iniciativa për të mos marrë dozën e plotë të barnave.
Rënia e tensionit mund të dallohet lehtë se vjen me marrje mendsh dhe me ndjesi të trazimit në stomak. Për këtë arsye rekomandohet që përpara se të fillohet me agjërimin të konsultohet mjeku dhe farmacisti për dozimin e barnave. Ndryshime të mundshme janë përshtatja e orarit të shkarkuesit, nga mëngjesi në mbrëmje, apo ndryshimi i momentit të marrjes së barnave nga tre në dy orare gjatë 24 orëshit.
Askund në literaturë nuk përmendet ndërprerja e barnave si alternativë gjatë muajit të Ramazanit, prandaj edhe vendimi i pacientit për t’i ndërprerë përkohësisht apo ndryshuar mjekimin është i gabuar. Pacientët duhet të sigurohen që kanë në shtëpi dhe një aparat për matjen e tensionit, të cilin dinë ta përdorin dhe që është i pajisur me bateri të reja në rastin e aparateve elektronike.

• Grupi i tretë me potencial të lartë rreziku gjatë muajit të Ramazanit janë personat që vuajnë nga diabeti dhe që përdorin barna për uljen e glukozës (sheqerit) në gjak. Studimet shkencore tregojnë se mundësia që ata të kalojnë një episod hipoglicemie gjatë muajit të Ramazanit, që në terma të thjeshtuar do të thotë ulje e sheqerit në gjak përtej normës, është 7,5 herë më e lartë se normalisht.

Rënia e glukozës në gjak mund të çojë deri në gjendje kome, prandaj është shumë e rëndësishme që personat me diabet ta monitorojnë rregullisht sasinë e sheqerit në gjak. Për këtë arsye agjërimi nuk duhet të fillojë, nëse në shtëpi nuk gjendet aparati i matjes së glicemisë. Në rastin kur barnat nuk përshtaten sipas regjimit të ri ushqimor, por ndërpriten me iniciativën e pacientit, glukoza në gjak mund të rritet ndjeshëm dhe të shkaktojë probleme afatgjata në shëndetin e pacientit.
Probleme të tjera që diabetikët mund të hasin gjatë muajit të Ramazanit janë rritja e sheqerit në gjak (hiperglicemia) si pasojë e ushqimit të tepruar në vaktet gjatë të cilave lejohet të konsumohet ushqim, ketoacidoze diabetike (rritje e acideve në gjak), dehidratim i trupit dhe trombozë e venave të thella. Arësye të mjaftueshme këto, për t’u konsultuar me mjekun dhe farmacistin, në mënyrë që të përshtaten e të kontrollohen të gjitha dozat e barnave.

Barnat mund të veprojnë ndryshe nga sa pritet, kur ndryshohet mënyra e ushqyerjes si edhe sasia e ushqimit. Kështu për shembull barnat e tiroides duan patjetër një periudhë pritjeje prej 30 minutash mes marrjes së tyre dhe të konsumit të ushqimit.
Antibiotikët duhen marrë patjetër në intervale kohore 8, 12 ose 24 orëshe dhe ndryshimi i këtyre intervaleve mund të sjellë një përkeqësim, ose zgjatje të kohë së shërimit.

Për këto arsye, ndryshimi i kohës kur merret bari apo dozës së tij, gjatë muajit ë Ramazanit duhet të bëhet patjetër sipas këshillës së profesionistit.

Mos vepro me mendjen tënde ! Mos ndrysho orarin, sasinë apo dozën e barnave pa u konsultuar fillimisht me një mjek apo farmacist.