”Kishte listë për vrasjet”/ Ngjarja e Beogradit, Vuçiç: Do dërgohet në psikiatri

0
57

Adoleshenti që vrau tetë nxënës dhe një roje sigurie në një shkollë të Serbisë, e kishte planifikuar sulmin prej javësh e kishte hartuar dhe një “listë vrasjesh” sipas policisë.

13-vjeçari, djali i një mjeku radiolog, u arrestua fill pas ngjarjes, e në pranga janë vendosur po kështu edhe prindërit e tij. 7 vajza dhe një djalë të moshave 11 deri në 14 vjeç u vranë gjatë sulmit, së bashku me një roje sigurie ndërsa 6 fëmijë të tjerë dhe një mësuese mbetën të plagosur. Vrasësi u identifikua si Kosta Kecmanovic, i konsideruar një prej nxënësve më të talentuar të shkollës.

Shokët e klasës e quanin “peshkopi”, ndërsa ai vetë qe zemëruar shumë me mësuesen e historisë e cila i kishte vendosur një notë jo kaluese në provim. Presidenti serb, Aleksndër Vuçiç, iu drejtua kombit për ngjarjen e rendë.

“Serbia është bashkuar, për fat të keq, këtë herë në pikëllim. Agresori i dyshuar do të mbahet në një repart psikiatrik, pasi për shkak të statusit si i mitur, nuk mund të dalë në gjyq”, u shpreh Vuçiç.

Policia tha se Kecmanoviç përdori pistoletën e babait të tij, e cila ishte me leje. Sipas hetimeve, i ati i 13-vjeçarit e mbante armën në një kasafortë, por me sa duket djali e dinte kodin. Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, të shtënat masive në Serbi dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit janë jashtëzakonisht të rralla. Asnjë rast i tillë nuk është raportuar në shkolla vitet e fundit. Sulmi i fundit me armë zjarri ka ndodhur në vitin 2013 kur një veteran i luftërave në Ballkan, vrau 13 persona në një fshat në Serbinë qendrore.

 

Top Channel