Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi rezultatin e verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin Kryetarin e Bashkisë Mat, qarku Dibër, Agron Malaj në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Pas shqyrtimit, KQZ vendosi konstatimin se kryebashkiaku Agron Rufat Malaj, nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të parashikuar nga ligji për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike.
Partia Demokratike, 4 muaj më parë kërkoi heqjen e mandatit për kryebashkiakun e Matit Agron Malaj, me pretendimin se ai ka qenë i dënuar dhe sipas ligjit të dekriminalizimit nuk mund të ushtrojë këtë detyrë. Po KQZ me vendimin e marrë sot hodhi poshtë këtë pretendimin dhe sikurse u shpreh edhe përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji, “në 2019 dorëzoi formularin e vetëdeklarimit dhe KQZ vendosi njoftimin për vijimin e procedurave se nuk ndodhet në kushtet e ndalimit”.
Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi rezultatin e verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për Kryetarin e Bashkisë Librazhd, Kastriot Hasan Gurra, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
KQZ vendosi se kryebashkiaku Kastriot Gurra, nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të parashikuar nga ligjit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike.
Lidhur me çështjen e kryebashkiakut të Librazhdit, Kastriot Gurra, prokuroria ka bërë të ditur se “nuk ka qenë ndonjëherë i ndaluar apo i arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale”.
Pergatiti :Elbasani Flash
Burime :Atsh