Krifca: Në 1 shtator, thirrje për mbështetjen e mbjelljeve të reja të grurit

0
56

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca njoftoi se, më 1 shtator hapet thirrja për mbështetjen nga Skema Kombëtare të mbjelljeve të reja të grurit.

Krifca, shkroi në rrjetet sociale, se “ndërsa vijojmë pagesat direkte për të gjitha masat e mbështetjes së Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi dhe Blegtori deri në 31 dhjetor 2022, tashmë dhe me 500 milionë lekë më shumë në dispozicion të masës së mbështetjes me naftë për fermerët, që zgjeron gamën e përfituesve, do të hapim edhe një thirrje të re për mbështetjen e mbjelljeve të reja të grurit, nga data 1 shtator deri më 23 shtator 2022.”

Sipas saj, ekipi i bujqësisë është në terren për të informuar fermerët në lidhje me udhëzimet dhe kriteret që duhen ndjekur për përfitueshmërinë dhe mënyrën e aplikimit për masën e re të mbështetjes së mbjelljeve të reja të grurit me pagesa që do të kryhen brenda këtij viti.

Gjithashtu, tha Krifca, mbështetja do të shtrihet edhe për peshkatarët dhe për naftën në bujqësi.

Qeveria miratoi së fundi një fond shtesë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi dhe Blegtori në vlerën e 1.2 miliardë lekëve.

Sipas vendimit të qeverisë mbështeten edhe dy masa të reja nga Skema Kombëtare e vitit 2022.

Masa 7/1 parashikon mbështetje për kultivimin e grurit, për sipërfaqet e mbjella jo më pak se 1 ha në vlerën 30 000 lekë/ha.

Masa 7/2 mbështetje me 40 lekë/litër të karburantit për anijet e peshkimit për furnizimet nga data 1 korrik 2022 deri më 31 dhjetor 2022.

Për masën 7/1 mbështetja ofrohet përmes aplikimeve që do të kryehen online nga data 1 shtator 2022, ora 08:00) deri më datën 23 shtator 2022, ora 22:00.

Për masën 7/2, dokumentacioni dorëzohet ose dërgohet me postë në zyrat qendrore të AZHBR-së, ose dorëzohet në Agropika.

Përfitues të mundshëm janë subjekte të pajisur me statusin pritës të regjistruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për furnizimin me karburant në Shqipëri.