Kriza rriti varësinë e tregut nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve

0
148

Shqiptarët shpenzuan 9.4 miliardë lekë ose rreth 76 milionë euro për të siguruar makinat vitin e kaluar.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se vitin e kaluar varësia e tregut shqiptar të sigurimeve nga ky produkt u rrit. Primet e shkruara bruto nga ky produkt u rritën me 4% krahasuar me vitin 2019.

Sigurimi i brendshëm TPL zinte pothuajse 61% të primeve totale të tregut, nga 55% që ishte pesha specifike e këtij produkti një vit më parë. Ndryshe nga shumica e produkteve të tjera të tregu të sigurimeve, sigurimi i brendshëm motorik nuk është ndikuar shumë nga kriza, me përjashtim të periudhës tremujore të mbylljes së ekonomisë, rënie që u rikuperua gjatë muajve në vijim. Pavarësisht nga kjo, drejtuesit e kompanive të sigurimeve pretendojnë se në Shqipëri ka ende rreth 100 mijë mjete të pasiguruara.

Kriza duket se e ka përkeqësuar akoma më shumë diversifikimin historikisht të ulët të tregut dhe peshën e produkteve të mirëfillta vullnetare të sigurimit. Megjithatë, edhe në grupin e sigurimeve të detyrueshme motorike kriza ka dhënë një goditje të ndjeshme tek sigurimet e lidhura me lëvizjen ndërkufitare të mjeteve.

Primet e sigurimit nga kartoni jeshil kanë pësuar një rënie vjetore me 42%, ndërsa ato nga sigurimi kufitar pësuan një tkurrje edhe më të thellë, me 55%.

Në tërësi, tregu i sigurimeve u prek ndjeshëm nga pasojat e krizës gjatë vitit të kaluar. Primet e shkruara bruto pësuan një rënie me 5.7%, ndërsa numri i kontratave ra me 29%.

Sipas drejtuesve të kompanive, portofolet që u ndikuan më së tëpërmi nga pandemia, ishin sigurimi i aksidenteve dhe ai i pronës për shkak të pezullimit të punës në disa sektorëve të industrisë, si dhe kartoni jeshil, polica kufitare, sigurimi i avionëve dhe anijeve për shkak të kufizimit të lëvizjeve.

Viti 2020 ishte i pari në historinë e tregut shqiptar kur sigurimi i detyrueshëm i mjeteve nuk kishte vlerën më të madhe të dëmeve të paguara nga siguruesit. Dëmet në sigurimin TPL ishin 2.17 miliardë lekë, në rënie me 4.4% krahasuar me një vit më parë. Ato përbënin vetëm 31% të dëmeve totale, nga gati 41% që zinin në vitin 2019.

Ky ndryshim u shkaktua kryesisht nga rritja e dëmeve në sigurimin e pronës, për shkak të pasojave të tërmetit të Nëntorit 2019. Dëmet në sigurimin e katastrofave përbënin rreth 42% të dëmeve totale të paguara nga siguruesit vitin e kaluar. Kompanitë e sigurimeve paguan vitin e kaluar dëme totale për një vlerë totale prej 6.9 miliardë lekësh, në rritje me 24.5% krahasuar me vitin 2019./ E.Shehu

Burimi: AMF