Kryeministri Rama i kërkoi largimin, Gjergji Goro dorëzon dorëheqjen nga Bashkia e Himarës

0
133

Kryebashkiaku në detyrë i Himarës Gjergji Goro ka dhënë dorëheqjen ditën e djeshme.

Mësohet se Goro ka depozituar dorëheqjen pasditën e djeshme te Prefekti i Vlorës. Ky vendim i Goros ka ardhur disa ditë pasi vetë kryeministri Edi Rama i kërkoi që të largohej nga Bashkia Himarë, e fituar nga Fredi Beleri.

“Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarë,” shkroi Rama disa ditë më parë.

Himara pas dorëheqjes së Goros do të drejtohet ose nga një prej dy nënkryetarëve nga prefekti i qarkut ose nga një administrator i caktuar përkohësisht prej qeverisë.

Pasi të ketë një vendim të formës së prerë nga gjykata do të vendoset edhe për fatin e Fredi Belerit, nëse do të betohet ose jo si kryebashkiak i Himarës apo do të shkohet në zgjedhje të reja.