“Kurajo dhe vetëbesim”, Konte tregon recetën fituese: Kështu triumfojmë në finale…

0
220

Mbërriti në pankinën e Interit në muajin maj të vitit 2019, por Antonio Konte rimodeloi menjëherë zikaltrit sipas imazhit të tij, sidomos në këtë fazë finale të Ligës së Europës. Luftarake deri në pikën e fundit të gjakut, solide dhe vrasëse, cilësi falë të cilave nesër në mbrëmje do të kenë mundësinë të luajnë për trofeun europian, përballë Sevijes.

antonio konte

“Në fund të sezonit do të bëjmë të gjitha llogaritë dhe vlerësimet e situatës, por ndërkohë kemi edhe një ndeshje të fundit për të luajtur, e cila është edhe më e rëndësishmja për ne. Të premten kemi mundësinë për të fituar një kupë, një trofe europian shumë të rëndësishëm, i cili do ta bënte sezonin tonë fantastik. Kemi bërë gjëra të mëdha deri më sot, por nëse nuk do t’ia dalim, do të duartrokasim kundërshtarin tonë dhe do të mbetet gjithsesi një sezon pozitiv.

Por e vërteta është që unë dhe lojtarët e mi e duam kupën, jemi gati ta fitojmë atë në fushën e lojës dhe do të bëjmë të pamundurën që t’ia dalim. Pas pengjeve që na dhuroi skualifikimi i shpejtë nga Liga e Kampioneve, tashmë e shohim gotën gjysmë plot, pasi kemi sërish një mundësi për të fituar një trofe, i cili do të shpërblente punën tonë të madhe. Çfarë nevojitet për të mundur Sevijen?

Pikësëpari dua të them se në finale shkojnë vetëm skuadrat që e meritojnë ta luajnë atë. Shkojnë skuadrat më të forta të turneut dhe ne e kemi merituar që të jemi në Këln. Pastaj, se çfarë duhet për të mundur Sevijen apo kushdo që do të ishte përballë nesh, receta është e thjeshtë: kurajo, vetëbesim dhe cinizëm. Pa këto, është e vështirë të arrish te suksesi, – vazhdon Konte, që në fund shpenzon disa fjalë edhe për dyshen e frikshme të sulmit të tij.

– Lukaku-Martinez? Romelun e njihja shumë mirë si futbollist, e ndiqja prej kohësh dhe e kam dashur në çdo skuadër që kam stërvitur në vitet e fundit. Ndërsa Lautaro ishte një futbollist që e kisha admiruar duke e parë nga televizori. Dhe pikërisht teksa mendoja për Lukakun dhe kisha parë në aksion Lautaron, e dija se nëse do t’i bashkoja këta futbollistë, do të lindte diçka madhështore, një dyshe sulmuese me egon e duhur për të luajtur në skuadrën time, por edhe altruiste për të ndihmuar të tjerët të shënojnë. Jam i lumtur që fati dhe Interi më dhanë mundësinë të stërvis këta dy futbollistë fantastikë”, u shpreh Konte për UEFA-n.

PANORAMASPORT.AL