Lista e Kuqe e Shqipërisë – Bimët e Rrezikuara Marrin Statusin e Mbrojtjes

0
350

Lista e Kuqe e Shqipërisë përfshinë 395 klasa të bimësisë, prej të cilave 13 janë lloje algash, 21 lloje kërpudhash, 2 lloje myshqesh, 7 lloje fieri dhe 352 lloje bimësh me fara.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, me mbështetjen e PNUD, nga qershori 2019 deri në mars 2020, hartoi Listën e Kuqe të vendit tonë, një indikator i rëndësishëm i shëndetit të biodiversitetit në tokë, ku u rishikua hollësisht dhe u hodhën propozime të reja për të përjashtuar dhe përfshirë lloje të ndryshme të bimësisë, si dhe propozime për të rivlerësuar kategorinë e rrezikut ndaj tyre.

Lista e Kuqe e Llojeve të Kërcënuara, themeluar më 1964 nga Sindikata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Natyrës, është kthyer në burimin e informacionit më të kuptueshëm në botë mbi statusin e mbrojtjes së kafshëve, kërpudhave dhe llojeve të bimëve.

Me tepër se një listë llojesh dhe statusit të tyre, ajo shërben si mjet i fuqishëm informimi dhe si katalizator i lëvizjeve për mbrojtjen e natyrës dhe ndryshimeve në politika, thelbësore në mbrojtjen e burimeve natyrore të cilat na nevojiten për të mbijetuar.

Pasuritë Natyrore

Krenaria është një gjë e madhe për shqiptarin, për më tepër kur bëhet fjalë për pasuritë natyrore. Me më shumë se 3200 lloje të bimëve vaskulare dhe 756 specie vertebrore dhe me rreth 30% të të gjithë florës europiane që zhvillohet në Shqipëri, me të drejtë mund të rrahim gjoksin me krenari për natyrën tonë.

Por, ndërsa koncepti i biodiversitetit ka ngjyresa globale, ruajtja është thjesht një aktivitet lokal. Për t’i vendosur përpjekjet e ruajtjes së biodiversitetit në kontekstin lokal, Ministria e Mjedisit dhe Bashkimi Evropian në Shqipëri organizoi javën e kaluar një konferencë mbi Biodiversitetin.

Mbrojtja e Biodiversitetit

Në vetvete Biodiversiteti duket si një fjalë interesante, por shpesh harrojmë kuptimin e vërtetë të tij, duke dështuar në adresimin e kësaj çështje të rëndësishme, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar e shikon atë me largpamësi.

Bashkimi Evropian përmes projektit IPA 2013 ka dhënë 4 milionë euro për të mbrojtur Biodiversitetin shqiptar dhe në përgatitjen e vendit për “Natura 2000”, rrjeti i cili është pjesë e politikave natyrore të BE-dhe biodiversitetit.

Qëllimi i rrjetit është që të sigurojë mbijetesën afatgjatë të llojeve dhe habitateve më të vlefshme dhe të kërcënuara të Evropës.

Shqipëria si një vend që synon të anëtarësohet në BE ka përgjegjësinë për të ndërmarrë veprime konkrete për të mbrojtur Biodiversitetin e saj, duke qenë se humbja e këtij thesari me të gjithë ekosistemet, krijon efekte negative në ekonomi duke rrezikuar në një farë mënyre atë që ekspertët e cilësojnë si “shërbimet e natyrës”: ajri i pastër dhe uji, rregullimi i klimës dhe ruajtja e ekuilibrit të florës dhe faunës.

agro web