“Luani i maleve” ngjit majën e Jezercës, fizioterapisti i verbër rrëfen emocionet që përjetoi

0
81

Pasioni dhe dëshira për sportin mund të kalojë çdo kufi. Ky është rasti i fizioterapistit Luan Qosja, i cili është i verbër, por kjo nuk e ka penguar që të shijojë jetën. Në një intervistë që dha për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ai rrëfeu emocionet që pati pasi ngjiti majën e Jezercës.

Bashkë me të në studio ishte dhe Artur Guni, presidenti i Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor dhe Saimir Kalbaj, që e kanë ndihmuar të realizojë qëllimin e tij. Arturi theksoi se Luani është personi i parë i verbër që ka arritur që të ngjitet në majën e Jezercës.

“Kam arritur deri këtu duke hedhur hapa të ngadaltë ndër vite dhe shoh që nuk paskam kufi. Kjo është një ego personale që kam për të sfiduar veten dhe malet aty ku mundem.“, tha ai duke shtuar më tej: “Synimi kryesor është arritur dhe aq më tepër në male me aq pjerrësi të madhe.

Është një ndjesi që e përjetoj në ngjitje malesh, tregon se ti po jeton mirë, duke realizuar synimet e tua, duke qenë pranë njerëzve që kam besimin dhe të ndihmojnë. Kjo tregon se po jeton me dëshirat e tua dhe është shumë e rëndësishme. Është një krenari që është shumë e madhe por nuk është e gjitha e imja.

E kam për vete dhe për njerëzit që më gjenden pranë.“, tha Luani. Guni theksoi se po mendojnë që Luani të ngjisë dhe Kilimanxharon. Ndërsa Luani tha se kanë për qëllim që t’ju japin mundësinë dhe personave të tjerë me aftësi të kufizuara të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve.

“Po mundohemi ta bëjmë diçka më të gjerë. Ta integrojmë dhe këtë komunitet. Nëse dikush e ka këtë pasion si unë mund të synojë të tilla maja. Por ideja në fillim është që të fillojnë të njihen me natyrën sepse është një përfitim mjaft i madh.”, shtoi Luani./abcnews.al