Maduro dënon “imperializmin” amerikan: ShBA-ja intensifikoi agresionin gjatë pandemisë

0
206

residenti venezuelas, Nikola Maduro, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se nuk po heqin dorë nga përpjekjet imperialiste për ta nënshtruar popullin e tij edhe në një periudhë krize si kjo e pandemisë. Shteti amerikanojugor festoi të dielën Ditën e Pavarësisë.

Venezuela ka shënuar 209-vjetorin e Pavarësisë me shpërfaqjen e epërsisë së vet ushtarake.

Avionët reaktivë fluturuan të dielën në qiellin e kryeqytetit Karakas teksa forcat e armatosura dhe mjetet luftarake parakalonin në shesh përpara presidentit Nikola Maduro.

5 korriku i vitit 1811 konsiderohet dita kur 7 nga 10 provincat venezuelase të kohës u rebeluan kundër kolonialistëve spanjollë pas gati 300 viteve pushtim, duke shpallur mëvetësinë politike.

Për kreun e shtetit, Maduro, aktorë të huaj vazhdojnë të kërkojnë ta nënshtrojnë Venezuelën edhe në kohë krize ekonomike e pandemike si e tanishmja.

Në qendër të kritikave ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe fqinjë si Kolumbia, presidentin e të cilit kryeshtetari venezuelas e akuzoi si përhapës të pandemisë në vend.

“Kur Venezuela dhe shtetet e tjera të botës u përballën me pandeminë në mars, prill, maj, menduam se imperializmi amerikan do e pushonte agresionin e vet, por e kundërta ndodhi, ata intensifikuan vuajtjet e popullit me sanksione, me fushatën kundër blerjes nga ana jonë të ushqimeve, medikamenteve dhe naftës. Vizioni i tyre është fashist dhe makabër.”

Në këtë 209-vjetor pavarësie, Venezuela e gjen veten në një nga krizat më të rënda humanitare.

Nga Uashingtoni, presidenti Donald Trump reagoi në fundjavë me rastin e festës kombëtare duke ia vendosur përgjegjësinë për situatën homologut të tij socialist, Maduro, i cili përmes regjimit ilegjitim po sundon duke shkatërruar institucionet demokratike, po abuzon me të drejtat e njeriut dhe e ka shtrirë korrupsionin në sistem.

Janarin e vitin e të kaluar, SHBA-ja dhe dhjetëra shtete të tjera njohin liderin e opozitës, Huan Guaido, si president të përkohshëm të Venezuelës, ndërsa Maduro mbetet në pushtet me mbështetjen e ushtrisë së vet, Rusisë, Kinës dhe Kubës.

/Ora News.tv/