Viti që lamë pas ka regjistruar një numër më të madh viktimash nga aksidentet rrugore në raport me vitin 2020.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2021 kanë humbur jetën 197 persona, ndërkohë krahasuar me një vit më parë përplasjet kanë rezultuar fatale për 181 persona.
Rritja për vitin e kaluar vjen edhe për shkak se në vitin e parë të pandemisë vendi hyri në karantinë për 3 muaj, por edhe më tej qarkullimi i mjeteve u reduktua.
Në total gjatë vitit të kaluar janë numëruar 1376 aksidente ose 142 më shumë se viti 2020.
Vetëm në dhjetor janë regjistruar 120 aksidente me pasojë 21 viktima.
Edhe numri i të lënduarve nga aksidentet është rritur nga 1598 në 1860. Nëse e krahasojmë me periudhën para pandemisë, numri i tyre është më i ulët.
Të dhënat zyrtare tregojnë gjithashtu se në 85 për qind të rasteve përgjegjës janë drejtuesit e makinave.
Sa i takon qyteteve, Tirana ka numrin më të lartë të këtyre ngjarjeve, e ndjekur nga Lezha, Fieri dhe Durrësi. Ndërkohë, Vlora është qarku i cili nuk ka regjistruar asnjë aksident në dhjetor.
Ndërkohë, në dy javët e para të këtij viti kanë humbur jetën në aksidente rrugore të paktën 8 persona, mesatarisht 2 persona çdo ditë.