Mësuesit do të blejnë shtëpi me kredi me zero interes, hapen aplikimet

0
102

Pas infermierëve, mjekëve, policëve dhe ushtarakëve edhe profesionistët në sektorin e arsimit do të përfitojnë nga nisma e qeverisë për t’i mbështetur në blerjen e banesave duke shfrytëzuar kreditë me zero interes.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në një takim me mësues të rinj ka prezantuar programin e kredive me interes zero, duke shpjeguar se mësuesit duhet të aplikojnë online në e-Albania deri më 14 gusht.

“Një prej programeve të rëndësishëm që ne konsiderojmë në mbështetje të profesionistëve të shumë sektorëve është zgjerimi i programit të kredive me interes zero, apo mbështetja për një banesë të re për kategorinë e mësuesve. Janë hapur aplikimet online në e-Albania dhe ato përfundojnë më 14 gusht. Më pas, një komision do të vlerësojë dokumentacionin sipas një pikëzimi, duke vlerësuar mësuesit që punojnë në një largësi të konsiderueshme nga vendbanimi i tyre, apo mësuesit ku të dy bashkëshortët janë në profesionin e mësuesit”, tha Manastirliu.

Manastirliu po ashtu tha se nga 1 korriku, pagat e mësuesve janë rritur mesatarisht me 180 euro në muaj, duke arritur në 950 euro në muaj.

“Kjo është pjesë e mbështetjes për mësuesit, përpos kushteve të mira të punës që po krijohen ditë pas dite me shkolla të reja, me infrastrukturën arsimore të përmirësuar dhe me rritjen e pagave, e cila tashmë ka nisur prej datës 1 korrik.”