Të implikuar funksionarë dhe ish funksionarë të drejtësisë?/ SPAK i kërkon informacion shtesë Belgjikës dhe Francës për dosjen “Toyota Yaris”, letërporosi kodet e tjera të SKY ECC

0
53

SPAK i kërkon të dhëna shtesë Belgjikës dhe Francës dhe i dërgon me letërporosi kodet e tjera të SKY ECC për dosjen e prokurorëve të “Toyota Yaris”.

Sipas burimeve, SPAK kërkon identifikimin e tyre pas hetimeve ku dyshohen se janë të implikuar edhe funksionarë dhe ish funksionarë të drejtësisë.

Kjo vjen një javë pas katër masave ndaj kryeprokurorit të pezulluar të Vlorës  dhe tre të tjerëve

Javën e kaluar Gjykata e Posaçme urdhëroi të mos publikohet vendimi duke paralajmëruar hetime për nxjerrje të sekretit hetimor.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se ka mjaft gjyqtarë dhe prokurorë që përmenden se janë korruptuar nga të dyshuarit dhe tarifat që kërkonte secili prej tyre.

Pas këtyre dyshimeve, SPAK po mbledh prova për të implikuar të dyshuar.

Më 31 korrik, GJKKO la në fuqi masën arrest në burg për kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka.

Ai mohoi përfshirjen dhe hodhi poshtë transkriptimet dhe dyshimet se ka ndërhyrë për mbylljen e disa hetimeve në Tiranë dhe në Vlorë.

Sipas SPAK, bëhet fjalë për ndikime tek funksionarë të drejtësisë për të lehtësuar dosjen “Toyota Yaris”, që nga një hetim për grup kriminal dhe pastrim parash prej 3.4 milionë euro u mbyll me një të dënuar.

Për këtë çështje gjatë ditës janë sekuestruar disa dosje e fashikuj njëlloj si edhe për të tjera, si ajo e vendimmarrjeve për hetimin pasuror ndaj të shumë kërkuarit Suel Çela, proceduar nga ish krimet e rënda , apo dy dosje të kultivimit të drogës dhe të një vjedhjeje rrobash në një qendër tregtare.

Jo zyrtarisht TCH mëson se lista e gjyqtarëve ish prokurorëve dhe ish gjyqtarëve të lakuar është mbi 14, për të cilët tregohet se si është ndërhyrë, por që për SPAK nevojitet të mblidhen prova për të vërtetuar se ata u korruptuan apo u ndikuan. E sigurt është që çështja mbetet e hapur, sepse siç pranon zyrtarisht SPAK hetimet vazhdojnë ndaj personave të tjerë, dhe ky rreth është ndaj funksionarëve të drejtësisë.

 

Top Channel