Ministrja Kushi jep lajmin: Shkollat këtë vit do të nisin mësimin dy javë para datës zyrtare!

0
212

Viti i ri shkollor do të nisë dy javë përpara datës zyrtare. Lajmin e ka  konfirmuar ministrja e Arsimit, Evis Kushi e cila ka sqaruar se ky vendim është marrë me qëllim që të rikuperohen të gjitha mangësitë nga mësimi online. Por, ministrja ka theksuar se ky plan do të zbatohet në varësi të nevojave specifikave që do të ketë çdo shkollë.

“Jemi të vetëdijshëm që ka pasur edhe mangësira në njohuri apo kompetenca të nxënësve. Për këtë arsye, në muajt e fundit kemi punuar intensivisht edhe me ekspertët e MASR dhe ASCAP për të hartuar një strategji se si t’i plotësojmë këto mangësi. Ne kemi vendosur që për vitin e ardhshëm 2021-2022, dy javë përpara datës zyrtare të fillimit të vitit shkollor, ne do të kemi mësimin plotësues në të gjitha shkollat tona. Ky do të jetë një plan fleksibël në varësi të nevojave specifike që ka çdo shkollë apo zyrë arsimore”, u shpreh Kushi.

Ndër të tjera Kushi është shprehur se është bërë një punë e madhe për të afruar sistemin arsimor me atë të vendeve më të zhvilluara. Kushi theksoi se ndryshimet e mëdha që po pëson arsimio janë të mëdha, si në teknologjinë e mësimdhënies, ashtu edhe në tregun e punës dhe marrëdhëniet sociale. Për të përballuar këto ndryshime sipas Kushit duhen mësues të aftë. Pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe sipas ministres, te përgatitja dhe përshtatja e mësuesit me ndryshimet e reja.

 “Për zbatimin e kësaj kurrikule, peshën më të madhe e kanë mësuesit tanë, prandaj zhvillimi profesional i tyre është shumë i rëndësishëm. Sfida e përbashkët është që t’u përgjigjemi ndryshimeve që ndodhin në kohën e duhur dhe mekanizmat më efiçiente, dhe gjithmonë duke mos bërë kompromis për cilësinë. Për të pasur nxënës të mirë, neve na duhen mësues të aftë. E gjithë sfida dhe puna jonë duhet të fillojë nga zhvillimi, përgatitja dhe përshtatja e mësuesit me ndryshimet e reja”, tha Kushi.