Miratohet fondi për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara nga tërmeti në Kamzë dhe Kavajë

0
418

Gjashtë muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, qeveria ka miaratuar me anë të një VKM-je, përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në bashkitë Kamzë dhe Kavajë.

Fondi i miratuar është 510 240 000 lekë, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për ato individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para si pasojë e fatkeqësisë natyrore, në këto dy bashki.

Bashkisë Kamzë do t’i transferohet fondi prej 163 890 000 lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, ndërsa bashkisë Kavajë i transferohet fondi prej 346 350 000 lekësh, po në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kamzë dhe Kavajë.

ORA NEWS