Miratohet plani i përgjithshëm vendor për bashkinë e Gramshit

0
263

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar planin e përgjithshëm vendor për bashkinë e Gramshit.

Kryetari i bashkisë Gramsh, Klodian Taçe tha se planifikimi i territorit është sot një nga çështjet më të rëndësishme, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën tonë të përditshme. “Të gjithë do të përfitojmë nëse planifikojmë siç duhet qytetet tona dhe projektojmë sipas parametrave të zhvillimit zonat e banimit, të biznesit, zonat industriale, vendosjen e parqeve, shkollave, rrjetin e infrastrukturave dhe shërbimeve”, u shpreh ai.

“Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë së Gramshit është rezultat i angazhimit të Bashkisë për t’iu përgjigjur siç duhet detyrimeve ligjore, posaçërisht pas Reformës Administrative në vitin 2015, por kryesisht për të garantuar një administrim të mirë në territorin e saj dhe për të krijuar themelet për një zhvillim të qëndrueshëm në vitet e ardhshme dhe më gjerë. Plani i Përgjithshëm Vendor siguron një zhvillim të qëndrueshëm të territorit, respektim dhe mbrojtje të tokës me vlera natyrore, bujqësore, kulturore”, tha ai.

Po ashtu, Taçe shton se “procesi i hartimit të planit u mbështet nga qeveria shqiptare dhe gjatë rrugëtimit të tij, ka marrë kontributin, me komentet dhe sugjerimet, jo vetëm nga palët e përfshira në këtë proces, por edhe nga të gjithë ministritë e prekura nga plani, nga agjencitë qendrore dhe rajonale, nga forumet këshillimore të mbledhura vullnetarisht. Pas diskutimeve dhe udhëzimeve përkatëse, mori miratimin edhe të këshilli bashkiak. Plani u mbështet edhe nga banorët të cilët preken drejtpërdrejt nga mbarëvajtja dhe hartimi i drejtë i planeve”.

Elbasaniflash.al