Morën peng e zhveshën biznesmenin Moka dhe punonjësen e tij, në gjyq Seit Manahasa dhe kushëri Muhollaro

0
290

Prokuroria e Elbasanit, i ka dhënë fund hetimit për një nga pengmarrjet e bujshme të ndodhura një vit më parë në zonën e Peqinit, ku për disa orë me radhë u mbajt peng, biznesmeni Gani Moka dhe një shtetase tjetër F…, punonjëse e kompanisë që administrohet nga Moka.

Gjatë hetimeve është provuar se në këtë pengmarrje kanë marrë pjesë Seit Manahasa dhe kushëriri i tij, Kreshnik Manahasa (Muhollari), të cilët tashmë janë marrë të pandehur dhe dërguar në gjykatë

Dy personazhet e mësipërm akuzohen për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” të kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim, “Heqja e pa ligjshme e lirisë” e kryer në bashkëpunim dhe “Ngacmimit seksual”.

Sipas dosjes hetimore në muajin Maj 2021, biznesmeni Moka dhe punonjësja e tij, F…, kishin ndaluar në autostradën Peqin-Elbasan, dhe teksa qëndronin buzë lumit Shkumbit, aty i kanë marrë peng.

Sipas informacioneve që ndodhen në dosje, dy personat i kanë dhunuar dhe nën kërcënim, i kanë kërkuar 20 mijë euro.

Seit Manahasa, një personazh i njohur i botës së krimit në Elbasan, së bashku me një person tjetër i identifikuar tashmë nga policia kriminale si Kreshnik Manahasa (Muhollari), rezultojnë të kenë marrë peng biznesmenin Gani Moka dhe punonjësen e tij, F…

Moka përfaqëson kompaninë “Certi W South Balkans” që ka si specialitet pajisjen me çertifikata ISSO të bizneseve si dhe dy kompani të tjera që quhen “Agricoltura Moderna Europe” dhe “I-Research 2014”

Në dosjen hetimore të siguruar nga “Ora News”, thuhet se Moka dhe punonjësja e tij F…, në 21 maj 2021, ndodheshin në Lushnjë dhe po udhëtonin në drejtim të Elbasanit, pasi kishin një takim me drejtuesit e kompanisë “Rozafa”.

Mirëpo ende pa shkuar në Peqin, kanë ndaluar në një xhep rruge, me qëllim për të bërë fotografi tek një biznes të përpunimit të inerteve, me qëllim për të biseduar me pronarin për certifikimin.

Menjëherë pranë tyre, ka mbërritur një automjet tip fuoristradë e bardhë BMW X5. Dy persona që kanë dalë prej saj, i kanë kërkuar që t’i ndiqnin, duke u futur në ambientet e biznesit.

Në dokumentet e prokurorisë thuhet se pasi i kanë zbritur të dy nga makina, kanë filluar t’i godasin duke i kërkuar 20 mijë euro me argumentin se u kishin dëmtuar skrepin, duke i hedhur sheqer apo që kanë kryer veprime të tjera të turpshme, në ambientet e subjektit.

Madje në material shënohet se Mokën e kanë goditur edhe me gurë në kokë.

Duke mohuar akuzat e ngritura nga Seit Manahasa dhe Kreshnik Muhollari, Moka, i ka kërkuar të akuzuarve së paku të linin të lirë punonjësen e tij, F..

Në dosjen hetimore thuhet se dy të pandehurit pasi i kanë zhveshur, i kanë filmuar me telefon, duke i kërcënuar se videon, do ua çonin familjarëve dhe do i postonin në “Youtube”, nëse biznesmeni Moka, nuk do t’i jepte 20 mijë euro.

Madje për një moment njëri nga personat e pandehur ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me F…, ndaj prokuroria ka ngritur akuzën e “Ngacmimit seksual” ndaj Kreshnik Muhollarit.

“Do biesh lekët, në të kundërt do të të vrasim familjen, nëse ti do shkosh të ankohesh”, – ka qenë një prej kërcënimeve të shënuar në dosje.

Seit Manahasa dhe miku i tij, Kreshnik Muhollari, i kanë liruar dy pengjet me premtimin se nuk do shkonin të bënin denoncim në polici dhe biznesmeni do çonte 20 mijë eurot tek Manahasa.

Pas lirimit, rrugës për në Elbasan, Ganiu ka telefonuar djalin e tij në Tiranë, dhe i ka shpjeguar se çfarë kishte ndodhur me dy persona të panjohur.

Po kështu ka njoftuar dhe një mikun e tij, një biznesmen tjetër ndërtimi, i cili i kishte thënë të shkonte te Drejtoria e Policisë Elbasan, pasi drejtuesit e policisë Elbasan, ishin njoftuar për ngjarjen dhe po i prisnin për të dëshmuar.

Pas kallëzimit, policia e Elbasanit, në muajin Maj 2021 ka urdhëruar RENEA-n, e cila kreu arrestimin e Seit Manahasës, ndërsa shpalli në kërkim mikun e tij Kreshnik Muhollarin.

Tashmë të dy këta personazhe janë marrë të pandehur për 4 vepra penale dhe pritet që në ditët në vijim të nisë ndaj tyre procesi gjyqësor.