“Mund të arratiset”, 30 ditë paraburgim për shoferin e autobusit që dyshohet se shkaktoi aksidentin në Kroaci

0
128

Shoferi i autobusit nga Kosova që i mbijetoi aksidentit tragjik në Sllavonski Brod të Kroacisë në të cilin humbën jetën 10 persona dhe u plagosën mbi 40 të tjerë do të qëndrojë 30 ditë në paraburgim.

Masa e sigurisë ndaj tij u mor sot, 27 korrik.

Gjykatësi i rastit, Mille Solldo, ka deklaruar për media se paraburgimi është caktuar për shkak të rrezikut që i dyshuari mund të arratiset.

Ai shtoi se Kroacia ka marrëveshje bashkëpunimi me Kosovën në çështjet penale, ndonëse e njëjta nuk parasheh edhe ekstradimin e shtetasit kosovar, andaj edhe është caktuar masa e paraburgimit.

“Procedurat do të zhvillohen në Kroaci. Por, sipas marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Kroacise, ekziston mundësia ligjore që procedura të zhvillohet edhe në Kosovë. Por, për këtë duhet pajtimi i dy shteteve. Mbrojtja mund ta kërkojë një gjë të tillë, por propozimi duhet të bëhet nga shteti”, ka thënë ai.

Gjykatësi Solldo ka thënë se gjatë ditës së martë, pritet të merren në pyejtje edhe disa dëshmitarë.

Si pasojë e aksidentit të së dielës humbën jetën  10 persona, dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur.

Në autobus ishin 67 udhëtarë dhe dy shoferë. Njëri nga shoferët humbi jetën, ndërsa tjetri, të cilit iu komunikua sot masa e paraburgimit, besohet se ka shkaktuar aksidentin.

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, njoftoi sot lirimin nga spitali të 26 personave të plagosur në aksident.

Mehaj tha se 15 persona janë duke u trajtuar ende, ndërkaq njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

Sipas tij, të liruarve nga spitali dhe pjesës tjetër të udhëtarëve do t’iu sigurohet transporti përmes linjave ajrore nga Aeroporti i Osjekut.

ORA TV