Në vitin 2020, emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus publikoi foton ekskluzive të këngëtarit nga Elbasani Renato Hamza, i cili shfaqej në një lokal me baste sportive në Shijak. Bëhet fjalë për 29 Gushtin 2013, kur jashtë kësaj lotoje u vra Ervin Kërtalli dhe u plagos një tjetër.
Vrasja ndodhi 30 minuta pasi Reni ishte larguar nga ky lokal në Shijak dhe këngëtari, të cilit sot ende nuk i është gjetur trupi, dyshohej se mund të kishte shërbyer si informator për këtë vrasje.
Por çfarë thotë nëna e Renit? Në një intervistë për Uniko me gazetarin Spartak Koka, Silvana Hamza kujton se çfarë i ka thënë djali i saj në vitin 2013 kur nga shtëpia pa në televizor se në lokalin ku ai kishte qenë kishte ndodhur një vrasje.
Spartak Koka: Do t’i rikthehemi edhe njëherë ngjarjes së 2013, kur unë kam treguar fotot herë pas here dhe ju keni fillimisht arritur ta identifikoni djalin tuaj nga ju rrobat e trupit. Më pas kur ju dhashë foton e plotë e identifikuat dhe nga fytyra e fizionomia. A kujtoni ndonjë gjë nga ajo histori, nga ajo ngjarje në kuptimin që djali juaj t’ju ketë rrëfyer për këtë gjë?
Silvana Hamza: Djali thoshte atëherë, po bënte klipin dhe kur ka parë vrasjen atëherë tha ‘mami unë këtu sa u futa, bleva një lloto, kur kam dalë unë ka ndodhur vrasja’. U habit çuni shumë. ‘Bo bo mami paska ndodhur vrasje këtu’, tha. ‘Të kisha qenë brenda edhe mund të vritesha dhe unë aty’, tha. E them këtë me plot bindje se ma ka thënë Renato vetë me gojën e tij.
Spartak Koka: E tha si një formë që edhe ai mund të ishte qëlluar dhe ndaj tij në rast se do kishte qenë brenda?
Silvana Hamza: Po, po. ‘Sikur unë të kisha qenë aty dhe unë do vritesha’, tha. U habit kur e pa te lajmet.
Por nëna e Renit mohon që djali i saj të ketë patur lidhje me grupe kriminale.
Spartak Koka: A mendoni se ka ndonjë lidhje dhe ka patur ndonjë lidhje djali juaj me grupe kriminale në Shijak, në Durrës, dhe a ka lidhje në bindjen tuaj si nënë me atë që ka ndodhur në datën 29 Gusht 2013?
Silvana Hamza: Absolutisht jo. Djali im atëherë që ka shkuar në Shijak ka bërë vetëm këtë klipin, por nuk e lidhte puna fare me grupet kriminale. Djali im ishte punëtor, punonte në lokale nate tallava për bukën e gojës, nuk merrej me grupe kriminale. Shokët e vetë i ka pasur të gjithë muzikantë, nuk ka pasur grupe kriminale djali. Këtë ta ketë të qartë shteti që nuk është djali im ai që dyshonte shteti për këtë, edhe pse e la në dorë të kriminelit. Pse nuk e publikoi foton e djalit në televizor të thonin ky është i dyshuar për këtë vrasje? Atëherë unë i vë faj shteti për këtë, policisë së Elbasanit që kurrë nuk u mor me çështjen e djalit tim, por e la në dorë të kriminelit deri sa arritën e morën dhe e vranë një të pafajshëm, një jetim. Në radhë të parë unë bëj vrasës shtetin pastaj kriminelët.
Renato Hamza rezulton i zhdukur që prej Qershorit 2014, kur për herë të fundit është filmuar në Elbasan i shoqëruar nga Indrit Shaqja, i cili sot është në qeli i dënua me burg përjetë për një tjetër ngjarje kriminale, dhe nga Deniz Xhija.
Ky i fundit është person i njohur i Ervin Kërtallës, i vrarë në Shijak në Gusht 2013. Ai u kap javën e kaluar në Kolumbi për llogari të autoriteteve rumune pasi akuzohet për disa vepra penale. Pamjet e fundit të Renit nën shoqërinë e Indrit Shaqja dhe Deniz Xhija janë publikuar për herë të parë ekskluzivisht nga emisioni Uniko. /tvklan.al