Ndryshimet klimatike: Thatësira, zjarret, përmbytjet prekin rëndë hemisferën veriore

0
48

Përmbytjet vdekjeprurëse në Pakistan, thatësira dhe valët e të nxehtit me përmasa historike në Kinë dhe Europë, shira të rrëmbyeshëm në njërën anë të SHBA-së dhe thatësira më e keqe në shekuj nga ana tjetër, ishte kjo pasqyra e verës 2022.

Nga njëri skaj i hemisferës veriore në tjetrin, ngjarjet ekstreme të motit e kanë bërë realitetin e ndryshimeve klimatike më të qartë se kurrë për miliarda njerëz.

“Kjo verë na ka mësuar se jemi në mes të një krize klimatike dhe se efektet e saj janë këtu, rreth nesh,” tha ambientalisti Stefan Ramstorff. “Ne po shkojmë drejt një katastrofe globale klimatike nëse nuk veprojmë shpejt dhe me vendosmëri,” theksoi ai.

Cilat vendet janë përballur me pasojat e motit ekstrem?

Në të vërtetë, këtë verë ngjarjet ekstreme të motit pasuan njëra-tjetrën: një valë ekstreme dhe e hershme e të nxehtit u regjistrua tashmë në Indi në pranverë, me temperatura që kanë shkuar mbi 45 gradë Celsius.

Në qershor, 120 milionë amerikanë u përballën me të nxehtin ekstrem, me një seri stuhish dhe përmbytjesh pas saj. Ndërkohë, pjesa perëndimore e SHBA- së po vuan nga një thatësirë ​​prej dy dekadash- më e keqja në 12 shekuj.

Zjarre të mëdha kanë shpërthyer në Spanjë dhe Portugali , një akullnajë u shemb në Itali duke shkaktuar vdekjen e pesë personave. Kina po përjeton një thatësirë ​​historike, duke prekur gjysmën e vendit, me rezultatin që në shumë vende lumi ikonik Yangtze, një burim jetik i ujit të pijshëm dhe prodhimit të energjisë elektrike, është tharë.

Dukuritë evoluojnë në bazë të parashikimeve

Edhe pse është shumë herët për t’i atribuar secilin fenomen ndryshimit të klimës, akumulimi i tyre duket se po ndjek parashikimet.

“Rritja e temperaturave globale për shkak të përdorimit të lëndëve djegëse fosile është parashikuar  që nga vitet 1970”, tha Ramstorf nga Instituti Potsdam PIK.

Valët e të nxehtit janë të përsëritura, më të gjata dhe madje edhe më të nxehta, dhe “madhësia e fenomenit korrespondon me atë që ishte parashikuar”, siç ishte rritja e reshjeve të dendura dhe thatësirës, ​​”të cilat ishin parashikuar tre dekada më parë”.

Europa i përjeton valët e të nxehtit më shpejt se kontinentet e tjera

“Europa është një pikë e nxehtë, duke përjetuar valë të nxehti tre ose katër herë më shpejt se rajonet e tjera në një gjerësi të ngjashme në hemisferën veriore.” Në Britani për herë të parë këtë vit temperatura kaloi 40 gradë Celsius, ndërsa në bregdetin francez , temperatura ishte 4 deri në 5 gradë mbi normalen.

“Ne mund të pyesim nëse thatësira që goditi hemisferën veriore në vitin 2022 mund të konsiderohet si një nga më të këqijat në historinë moderne për shkak të shtrirjes dhe intensitetit të saj”, tha Omar Badous nga Organizata Botërore Meteorologjike.

Efektet e nxehtësisë dhe thatësirës janë shpesh kumulative. Për çdo një gradë Celsius që temperatura e Tokës rritet, 7% sasi uji avullohet në atmosferë, sipas ekspertëve të klimës së OKB-së, raporton abcnews.al.

Në Pakistan, shirat e rrëmbyeshëm kanë vrarë më shumë se 1100 njerëz, kanë shkatërruar të korrat, duke prekur 33 milionë njerëz. Kina duke përjetuar verën e saj më të nxehtë në gjashtë dekada, ka rritur prodhimin e qymyrit për të kompensuar energjinë e kufizuar hidrike.

Në Europë, thatësira e bëri më të lehtë përhapjen e zjarreve në shumë vende, të korrat e misrit në Francë u dogjën nga nxehtësia dhe gjethet e rëna mbuluan rrugët e Londrës në gusht.

A do të jetë vera e vitit 2022 më e bukura e jetës sonë?

“Jo, do të ketë vera më të freskëta se ajo e 2022-shit”, siguroi ambientalisti Jean Jouzel, “por këto vera të nxehta do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta” dhe “nga 2040-2050 vera e vitit 2022 do të jetë normë”.

“Nuk vepruam sepse ne dyshuam në realitetin e ndryshimeve klimatike,” tha gjeografi i CNRS Xavier Arnaud de Chartres, duke vlerësuar se mungesa e veprimit është për shkak të “një mungesë vullneti”.

Për organizatën joqeveritare amerikane Union of Concerned Scientists (UCS), vera nuk është më “stina e bukur”, por “stina e rreziqeve”.