Ndryshojnë kriteret për naftën falas në 2023, do përfitohet vetëm për mbjelljet e sezonit të parë në sera

0
49

Mbështetja e naftës për bujqësinë e zbatuar në dy vitet e fundit do të vazhdojë edhe për vitin 2023.

Në relacionin e vendimit të miratuar nga qeveria për këtë vit parashikohet që fondi i vënë në dispozicion për naftë falas është 1,3 mld lekë. Grupi i kulturave bujqësore përfituese do të jetë 3, si: bimë arash, dru frutore, perime.

Në dallim nga viti i kaluar, mbështetja me naftë do të përfitohet vetëm për mbjelljet e sezonit të parë. Ndryshimi tjetër tek kriteret e përfitimit për vitin 2023 ka të bëjë me madhësinë totale të fermës, e cila parashikohet të jetë me sipërfaqe jo më pak se 1 ha (nga 0.4 ha e zbatuar deri tani), ndërsa madhësia e parcelave mbetet e njëjtë, me sipërfaqe jo më pak se 0.1 Ha.

Për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, fermerët do të mbështeten me sasi nafte falas në barasvlerë të lehtësimit fiskal të naftës për prodhim bujqësor (sasia e naftës falas që përfiton fermeri në konvertim të vlerës që do të merrte prej përjashtimit nga çmimi i naftës të: i) akcizës, ii) taksës së qarkullimit dhe iii) taksës së karbonit, si edhe TVSH-së respektive).

Në relacion theksohet se aplikimi, për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë, bëhet me vetëdeklarim. Kjo nënkupton se vërtetësia e të dhënave në aplikim është përgjegjësi e aplikuesit/fermerit.“Sasia e naftës që përfitohet sipas kategorive nga subjektet me sipërfaqe deri në 10 ha është 100% e sasisë së përllogaritur, ndërsa për sipërfaqet mbi 10 ha, përfitojnë sasinë e naftës me normativë të reduktuar. Kjo e fundit, përllogaritet bazuar në nevojat për naftë të subjekteve me sipërfaqe mbi 10 ha, por jo më shumë se normativa e lejuar, si dhe në sasinë e mbetur të naftës në dispozicion, pasi janë plotësuar nevojat deri në 10 ha të të gjithë subjekteve, që janë kualifikuar si përfitues.

Aplikimet i nënshtrohen procesit të verifikimit/kontrollit administrativ dhe për të shmangur/minimizuar përfitimet e padrejta, për aplikimet fituese kryhet kontrolli në terren. Procesi i kontrollit në terren kryhet pas shpërndarrjes së naftës tek subjektet përfitues për të vlerësuar përputhshmërinë e vetëdeklarimeve me situatën reale në terren, duke pasur si kriter që shmangia e lejuar e faktit të verifikuar të kulturave dhe sipërfaqes së kultivuar në raport me naftën e tërhequr, të jetë jo më e madhe se 20%.

Kontrolli në terren kryhet për jo më pak se 10% të subjekteve përfitues, përfshirë kontrollin e gjithë subjekteve me sipërfaqe mbi 10 ha. Kur nga kontrolli rezultojnë shmangie më të mëdha se 20% si dhe deklarime/dokumente të pasakta, përfituesi përjashtohet për 3 vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit. Përveç kësaj, subjektet me status person fizik dhe juridik, shpallen edhe debitor për vlerën e përfituar në mënyrë të padrejtë”.

Shpërndarja e naftës për bujqësinë do të vijojë të bëhet nga operatorë furnizues të përzgjedhur/kontraktuar në bazë të procedurave ligjore prokuruese kuadër, në pikat e shpërndarjes në të gjithë vendin, nëpërmjet kartës individuale të fermerit ku është hedhur sasia e naftës, që ka të drejtë të tërheqë fermeri përkatës.

Ndërsa, procedura e prokurimit për blerjen dhe shpërndarjen e naftës për përdorim nga fermerët realizohet, në përputhje me legjislacionin në fushën e prokurimit publik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu