Bashkia Gramsh ka mundësuar ndërtimin nga e para të një shtëpie të re për një familje me 8 anëtarë në ditën e Kurban Bajramit.
Kryetari i bashkisë Gramsh, Klodian Taçe tha sot se me mbështetjen edhe të disa investitorëve, i kthyem shpresën dhe forcën për të jetuar 8 anëtarëve të një familjeje.
“Gjashtë muaj më parë pesë fëmijët e familjes Roçi humbën nënën e tyre. Ata jetonin në Poroçan, një fshat i largët nga qyteti i Gramshit, në kushte të mjerueshme dhe në luftë për mbijetesë. Pas humbjes së nënës së tyre, në një banesë thuajse të pabanueshme si edhe në vështirësi të mëdha ekonomike, këta fëmijë gati u gjendën në mëshirë të fatit. Gjatë fushatës së shpërndarjes së ndihmave për familjet në nevojë, për periudhën e pandemisë, ne si institucion iu gjendëm pranë edhe kësaj familje”, shprehet ai.
Po ashtu, Taçe shton se “duke parë kushtet e mjerueshme ku ata jetonin filluam të kontaktonim institucione, OJF e subjekte privatë, në mënyrë që bashkarisht t’i mundësonim kësaj familje një shtëpi për të jetuar normalisht si gjithë të tjerët”.
“Ishte mesi i prillit kur nisi ky projekt i përbashkët dhe pas një angazhimi maksimal midis bashkisë Gramsh si dhe me firmën e ndërtimit të kontraktuar, banesa prej 150 m2 u arrit të përfundonte brenda 3 muajve, duke përfshirë këtu edhe mobilimin total të saj. Kjo ditë e shënuar e Kurban Bajramit do të ngulitet gjatë në memorien e kësaj familjeje, si dita kur nga mos pasja asgjë atyre iu dhurua një shtëpi me sipërfaqe prej 150m2 me parametrat më bashkëkohorë. Nga sot pesë fëmijët e familjes Roçi do jetojnë më të qetë, më të sigurt dhe më të lumtur. Gëzuar ditën e shenjtë të Kurban Bajramit! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ku ata ndodhen”, shprehet ai.atsh