Nën ethet e maturës, tri javë nga provimi i parë, nxënësit mes përgatitjesh e emocionesh

0
96

Ditët e fundit para provimit të parë, që zhvillohet në 9 qershor, maturantët po i kalojnë mes përgatitjesh e konsultimesh intensive me mësuesit. Ata thonë se mësimi online gjatë dy viteve të pandemisë mund t`i penalizojë në rezultate, megjithatë po përpiqen të fitojnë kohën e humbur.

Janë tri javë larg provimit të parë por ethet dhe emocionet e maturës i kanë kapluar që tani.

Këto ditë të fundit maturantët po i kalojnë me orë të gjata konsultimesh e përgatitjesh për ato që i quajnë provimet e jetës.

Gentjana Gjashi, nxënëse në shkollën “Ibrahim Rugova” thotë se mësimi online përgjatë dy viteve pandemi e bën të ndihet e pasigurt për testimet e qershorit.

“Ka ndikuar shumë dhe mund ta çojnë në katastrofë mësimin online.”

Pavarësisht vështirësive që solli pandemia, këtë vit janë përpjekur së bashku me mësuesit të rifitojnë kohën e humbur.

“Jemi të përgatitur. Kemi muaj që përgatitemi.”

Andri Ferati po i pret i qetë provimet që përmbyllin 12 vite arsim parauniversitar. Ende nuk ka vendosur për profesionin që do të zgjedhë por do të dëshironte të studionte jashtë Shqipërisë.

“Përgatitja akademike jashtë ka një nivel ndryshe dhe mundësia është më e madhe.”

Por shoqja e klasës, Gentjana e sheh të ardhmen në vendin e saj.

“Nuk është zgjidhje që të largohesh nga vendi, por pse të mos jemi ne ata që ta bëmë atdheun më mirë.”

Teksa është në fund të një rrugëtimi të gjatë, Gresilda Zyberajt do t`i mungojë koha dhe shoqëria e gjimnazit.

“Ka qenë një periudhë shumë e këndshme për tu mbajtur mend. Kemi krijuar kujtime të bukura.”

Mësuesit ndërkohë po i ndihmojnë maturantët në përgatitjet e fundit. Ermal Çepani thotë se me rëndësi në këto ditë është motivimi i tyre.

Provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen nga data 9 deri në datën 24 qershor.

Nën ethet e maturës, tri javë nga provimi i parë,