“Nëse i dëmtoni, do i blini”/ Rama për librat e përdorur: Nuk e shpikëm ne këtë politikë, “sanksion” për ata që…

0
60

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur të gjithë kritikëve për librat falas, që u jepen fëmijëve në një gjendje jo të mirë, pasi janë përdorur nga një tjetër brez nxënësish. Kreu i qeverisë u shpreh se do të sanksionojë të gjithë ata që dorëzojnë librat në gjendje jo të përdorshme, duke i detyruar që të blejnë libra të rinj.

Rama u shpreh ndër të tjera se politika e librave të përdorur ndiqet edhe nga shtete të tjera, që kanë mundësi të prodhojnë çdo vit. Sipas tij, “libri është një vlerë e cila nuk të përket vetëm ty, libri është një send që i kalon të tjerëve”.

Rama:
 Kjo nuk është çështje parash, nuk është çështje se ne nuk i përmbahemi angazhimit për ti dhënë falas cdo vit dhe të ri frinko, kjo është një politikë që ne nuk e kemi shpikur, është një politikë që e bëjnë vende që i japin librat falas që janë shumë më të pasura sesa ne, që nuk e kanë problem të prodhojnë libra të rinj.

Është një politikë që synon edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve me idenë që libri është një pasuri e cila ndahet me të tjerët. Libri është një vlerë e cila nuk të përket vetëm ty, libri është një send që i kalon të tjerëve dhe në këtë mënyrë kjo edukatë lidhet me atë që në të nesërmen duhet të jetë edhe me kujdesin për librin.

Libri duhet kaluar tek të tjetri. Është e rëndësishme që kjo të thuhet. E diskutuam edhe me ministrin, por është edhe një gjë që duhet ta shpjegojnë edhe mësuesit tek prindërit dhe tek nxënësit. Është e rëndësishme që të përcaktohet një rregull që ata që librat i dorëzojnë në një gjendje që nuk përdoren më sepse janë të keqpërdorur, në vitin tjetër ti blejnë, mos ti marrin falas. Nuk bëhet fjalë për shumicën, sepse shumica bën gjënë e duhur, i kalon në një gjendje mjaftueshmërisht për tu përdorur. Ndërsa për atë pakicë që nuk e bën këtë duhet të ketë edhe një sanksion.