“Nëse në vjeshtë do të ketë kufizime të reja, tregu do të jetë në vështirësi”

0
229

Kufizimet që u bënë në periudhën mars-maj, si një masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19, vunë në vështirësi pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, përfshirë edhe tregun e qirasë financiare. Dorin Maraku, nga Landeslease, shprehet se pas lehtësimit të masave, biznesi është treguar më i kujdesshëm me investimet dhe kërkesën për financim.

Sipas tij, kjo do ta shoqërojë në tërësi vitin aktual, si një vit i vështirë. Por, nëse do të kemi një rikthim të kufizimeve në vjeshtë, atëherë ruajtja e portofolit aktual të këtij tregu do të jetë sfiduese.

 

Pandemia e COVID-19 preku pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Si e ka ndikuar tregun e qirasë financiare?

Pas nisjes së mirë në tremujorin e parë të vitit, edhe tregu i qirasë financiare u ndikua negativisht, si pasojë e pandemisë, duke regjistruar tkurrje të theksuar në tremujorin e dytë të vitit. Kjo ka bërë që të tregohemi më të kujdesshëm në financimet e reja, duke marrë masa më shtrënguese për të minimizuar riskun e shtuar.

Mbetemi ende në kushte pasigurie dhe pas një rigjallërimi në periudhën që pasoi rihapjen, duke ndjekur ecurinë e pandemisë në vend, vjeshta duket se do të sjellë kufizime të reja, të cilat do ta rëndonin pozicionet e klientëve tanë e, për rrjedhojë, do të ulin më tej kërkesën.

 

Si është interesi i individëve dhe bizneseve tani me rihapjen që nisi nga qershori?

Gjatë qershorit u vu re gjallërim i interesit për financime, kryesisht nga individët, ndërsa bizneset u treguan më të kujdesshëm në investimet e tyre, për shkak të paparashikueshmërisë që sjell situata.

 

Si e prisni në përgjithësi vitin 2020, në lidhje me pasigurinë dhe paqartësinë që ekziston mbi pandeminë?

Tregu i qirasë financiare lidhet ngushtë me tregun e automjeteve, i cili, nga ana e tij, parashikon tkurrje me 50% në parashikimet e shitjeve të reja për tremujorin e dytë 2020. Për rrjedhojë, tkurrja pritet të reflektohet edhe në tregun e qirasë financiare. Kërkesa nga biznesi, që përbën afro 80% të portofolit të qirasë financiare, siç u shpreha më lart, ka rënë. Për këtë arsye, deri në fund të vitit, do të përpiqemi të ruajmë portofolin aktual. Megjithatë, kjo do të bëhej edhe më e vështirë, në rast se në vjeshtë (T3) aplikohen kufizime drastike si ato në pranverë.

 

Nga sektorët, transporti ishte ndër më të goditurit. Si është reflektuar në rinovimin e flotave? Po ndërtimi si ka qenë në kërkesë, duke qenë se ka vijuar?

Kufizimi i lëvizjeve për shkak të pandemisë përkoi me periudhën në të cilën sektori i transportit kryen zakonisht investimet në mjete e, për rrjedhojë, pasiguria që shoqëroi situatën, e cila vijon ende, kufizoi ndjeshëm planet e investimit të parashikuara nga ky sektor. Sektori i ndërtimit ndërkohë ka ruajtur nivelin e kërkesës krahasuar me periudhat e mëparshme, por subjekte të ndryshme shprehin pasiguri, pasi situata mund të kufizojë në vijim apo të shtyjë në kohë investimet në tërësi.

 

Si ka qenë shuma mesatare e kërkuar për financim, në rritje apo në ulje, në raport me një vit më parë?

Aktualisht nuk vërehen ndryshime thelbësore. Por, për shkak të masave shtrënguese nga operatorët e tregut të qirasë financiare, si dhe nga pasiguria në tërësi, e cila ndikon edhe psikologjinë konsumatore, mund të përballemi me rënie të vlerës mesatare të financimit.

 

Ka më shumë kërkesë për pajisje të përdorura, apo për të reja?

Për pajisjet përgjithësisht vijon të këtë ndjeshëm kërkesë për asetet e përdorura. Kjo për shkak se shumë prej pajisjeve, kur janë të reja, kanë vlerë të lartë për t’u përballuar nga shumë operatorë. Në sektorë të ndryshëm, pajisjet e lidhura me teknologjinë njohin gjithashtu amortizim të lartë të vlerës së tyre në periudhat fillestare, çka frenon subjektet për t’u orientuar tek të rejat. Edhe vetë furnitorët e pajisjeve, veç të rejave, ofrojnë edhe pajisje të azhurnuara, risistemuara ose të rimodeluara (refurbished), të cilat për shumë subjekte përbëjnë një raport të mirë mes cilësisë dhe çmimit.

 

A ka ndikuar situata e pandemisë në vështirësi pagese nga palët përfituese dhe si është zgjidhur kjo, duke pasur parasysh elasticitetin që ekziston?

Sigurisht që ka pasur ndikim tek riparimi, por klientëve tanë iu kemi ofruar disa skema për ripagimin e vonesave të akumuluara. Ndër më të aplikuarat është ripagimi në kohë të caktuar i tyre. Gjithashtu, ristrukturimi i financimit, si mundësi e dhënë së fundmi nga BSH, kur ka qenë i nevojshëm, është aplikuar për klientë të ndryshëm, gjithmonë pa sjellë pasoja, si në raportin kreditor për klientin, ashtu dhe aspektin e provigjionimit, që do të bëhet në pasqyrat financiare të këtij viti.