Nga mjekët, mësuesit dhe policët, kategoritë që do përfitojnë rritje page, çfarë ndodh me pensionet

0
158

Këshilli i Ministrave miratoi sot projekt-buxhetin për vitin 2022, i cili parashikon rritje pagash për disa kategori duke filluar nga mjekët dhe infermierët, mësuesit si dhe punonjësit e policisë.

Kështu për bluzat e bardha dhe mësuesit, dy kategoritë që është premtuar rritje 40% deri në fund të mandatit të tretë të socialistëve, në vitin e parë është parashikuar një rritje me 6%.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka njoftuar vendimet e qeverisë për ndihmën e familjeve në nevojë, që përfitojnë asistencë. Paketa përfshin edhe fëmijët jetimë dhe gratë e trafikuara.

“Do të ketë një rritje për pagat për personelin mjekësor, mjekë dhe infermierë. Vetëm për 2021 është rritur 40% e pagave për mjekët, ne do të vijojmë në 2022 me 6% rritje të pagës për mjekët dhe infermierët duke u futur në fuqi nga 1 korriku 2022” tha Manastirliu.

Ndërkohë ministrja e Arsimit Evis Kushi u shpreh se nga rritja prej 6% në radhët e arsimtarëve do të përfitojnë edhe punonjësit psiko-social nëpër shkolla.

Rritje pagash do të përfitojnë edhe punonjësit e policisë së shtetit që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit. “Rritje që do të vijë në formën e bonusit dhe që do të çojë deri në 150% pagat për punonjësit që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit”, tha Bledi Çuçi.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja njoftoi rritjen e pagave edhe për policinë e burgjeve dhe barazimin e gradave me punonjësit e policisë së shtetit.

Në buxhetin e vitit 2022 nuk parashikohet rritje e pensioneve, por vetëm paketa e bonusit të Vitit të Ri dhe indeksimi që shkon në linjë me normën e inflacionit, që ndodh çdo vit. m.v/Abcnews.al