Ngjiti majën më të lartë të Amerikës, alpinisti nga Elbasani: Kisha marrje mendsh

0
27

Alpinisti i njohur Arben Shati (AST Elbasani) arriti një sukses të jashtëzakonshëm pak ditë më parë duke ngjitur majën më të lartë të kontinentit Amerikan, Aconcagua, me një lartësi prej 6968 metra mbi nivelin e detit.

Në një intervistë për emisionin GoodMorning Albanians në Euronews Albania ai tregoi emocionet e ngritjes së flamurit kuqezi në lartësinë qiellore dhe vështirësitë e sfidës për t’u ngjitur në majën më të lartë të Amerikës.

Ai e cilësoi ngritjen e flamurit si sfidën më të  bukur të jetës, që siç tregoi e përjeton më shumë kur zbret sërish poshtë.

“U nisëm në datë tre nga parku i Aconcagua dhe në datë 11 arritëm në majë, 3-4 ditët e fundit tentuam majën; kishim dhimbje koke, përgjumje, humbje ekuilibri janë shumë faktorë që ndikojnë kur tenton majën. Është një majë e lartë që nuk ka specifikë teknike. Duhet stërvitje intensive 6 muaj deri në 1 vit që të tentosh të ngjitesh në atë majë. Ne e filluam ngjitjen në 2900 metra, shkuam në 3400  metra, ditën e dytë në 4110 metra dhe zbritën prapë që trupi të reagojë, nga kampi  bazë kaluam në 5050 metra, janë momentet e klimatizimit dhe trupi nis të reagojë”, tregoi ai.