Një maçok rus që thuhet se është më i shëndoshi në botë ka ngordhur vetëm disa javë pasi ishte vënë në një dietë të rreptë në një qendër rehabilitimi.
Përpjekjet për rënien në peshë të maçokut me emrin ‘Kroshik’ u ndoqën nga fansa nga e gjithë bota.
Maçoku gjigant u shpëtua nga bodrumi i një spitali në qytetin lindor të Rusisë, Perm, në fillim të shtatorit.
Ai u dërgua në një qendër lokale të kujdesit veterinar, ku u vendos në një dietë të rreptë me pak yndyrna.
Maçoku, që do të mbushte 14 vjeç, thuhet se ishte ushqyer shumë nga stafi i spitalit në atë masë sa nuk mund të ecte më.
Kroshik, që përkthehet si “Thërrime”, bëri bujë në mbarë botën pasi filloi një dietë të rreptë, pasi peshonte plot 17 kg.
Programi i rënies në peshë kishte për qëllim të ndihmonte Kroshikun të humbiste lëngjet e tepërta dhe të rriste aktivitetin fizik, thanë veterinerët për mediat lokale.
Pavarësisht përpjekjeve të veterinerëve dhe rënies në rreth 3 kg në peshë, maçoku ndërroi jetë të dielën.
“Nata më e tmerrshme në jetën time. Nata kur ngordhi Kroshiku”, shkroi në rrjetet sociale kreu i strehës veterinare Galya More.
“Nëse dikush do të më kishte thënë disa ditë më parë se Kroshiku do të ngordhte, nuk do ta kisha besuar kurrë.
Ende nuk e besoj plotësisht, më duket e paimagjinueshme.”
Rasti i Kroshikut duket të jetë i paprecedentë në Rusi dhe bëri që veterinerët të konsultohen me kolegë të huaj që kanë përvojë në rehabilitimin e kafshëve me mbipeshë.
Sipas veterinerëve, maçoku filloi të asfiksohej të premten, duke shkaktuar alarm.
“Deri në atë moment, veterinerët nuk kishin vënë re asnjëherë shenja të gulçimit tek ai. Ne vepruam menjëherë, për gjysmë ore Kroshiku ishte në dhomën e oksigjenit.
Megjithatë, gjendja e maçokut filloi të përkeqësohej me shpejtësi dhe as përpjekjet për ringjallje nuk funksionuan. Veterinerët thanë se maçoku kishte “masa të shumëfishta në shpretkë dhe metastaza në organet e tjera të brendshme”, megjithëse shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është përcaktuar.