Nis faza përgatitore për censin e Bujqësisë

0
124

Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe me mbështetjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Bujqësinë dhe Ushqimin (FAO), filluan projektin për përgatitjen e metodologjisë dhe planit të punës sa i përket censit të radhës në bujqësi.

Ndihma e FAO-s do të përqendrohet në aspektin e përcaktimit të dokumenteve strategjike siç janë: metodologjia, baza ligjore, infrastruktura e teknologjia e informacionit, logjistika dhe puna e nevojshme në terren, përgatitja e planit të aktiviteteve dhe buxhetit për zbatimit të censit të Bujqësisë.

Kërkesa për informacion në lidhje me të dhënat e bujqësisë është në rritje, e përqendruar në informacionin mbi strukturën e fermave bujqësore (madhësia e fermës, përdorimi i tokës, metodat e përdorimit të tokës, blegtoria), menaxhimi i fermës, inputet bujqësore dhe fuqia punëtore, etj.

Censi i bujqësisë është një burim i rëndësishëm i të dhënave statistikore sa i përket sektorit bujqësore.

Zbatimi i suksesshëm i censit të bujqësisë do t’i sigurojë qeverisë shqiptare dhe përdoruesve të saj statistika bujqësore, të cilat janë të nevojshme për të monitoruar situatën aktuale në bujqësi dhe për të ndihmuar qeverinë në marrjen e vendimeve, në planifikimin dhe krijimin e politikave bujqësore apo investimeve, të dhëna për bujqësinë dhe blegtorinë, të dhëna për sigurinë e ushqimit, punësimi në sektorin e bujqësisë, bën të  ditur MBZHR.

Censi i bujqësisë do të ofrojë informacion statistikor në përputhje me rekomandimet e progres raportit të BE (Kapitulli 18), si dhe do sigurojë një bazë të rëndësishme informacioni për monitorimin e treguesve kryesor të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG). e.xh/j.p/r.e/