Olsi Rama: E pandershme dhe e patolerueshme! 500 tifozë në stadium, te ne veç 20

0
149

Olsi Rama, Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, pas ndeshjes me Vllazninë kishte rezerva për praninë e tifozëve në stadiumin “Loro Boriçi” në përballjen e sotme që të kuqtë e humbën. Ai theksoi mes të tjerash që nuk është e ndershme kjo që ndodh, ndërkohë që në fund tha se nuk e tremb asnjë rival.

“Humbja nuk ka atdhe, është e hidhur gjithmonë. Është edhe më e hidhur kur vjen në minutat e fundit, mbas një ndeshje që ishte e kontrolluar po themi. Një barazim nuk do të na kënaqte, por do të ishte një pikë më tepër në klasifikim. Është humbja e dytë për ne, pasi humbëm edhe ndeshjen e parë me Kastriotin.

Nuk ka shumë rëndësi humbja e ndeshjes, është më tepër principi i lojës që është më i rëndësishëm në këtë fazë. Gjithmonë ka ndryshime në pjesën taktike. Luajmë me një kontingjent lojtarësh prej shumë kohësh. Po presim të vijnë në formën më të mirë edhe këta lojtarë që u aktivizuan. Kështu që  po mundohemi të bëjmë më të mirën për momentin.

Vllaznia ka një armë që e tregoi edhe sot, që së bashku dhe me ndonjë ekip tjetër në Superiore, luajnë me tifozë. Unë jam i pari që ngre zërin dhe them sa më shumë tifozë në stadiume, por në një situatë kaq emergjente me numrat e COVID-it që rriten, është e patolerueshme dhe nuk është e ndershme që të vish në një fushë futbolli dhe të keq kaq shumë tifozë. I përshëndes tifozët shkodranë janë të mrekullueshëm, por nuk është “fair-play”.

 

Ne luajmë në stadiumin tonë me 20 vetat që lejon Federata. Këtu nuk e di sa ishin, 500 apo 600. Të gjithë i kërkonin me presion llogari arbitrit dhe në momenti ne golit ishte një atmosferë si në një ndeshje normale. Shpresoj që të kthehemi te ndeshjet normale. Shpresoj që fazën e tretë në Shkodër të jetë stadiumi plot sepse tregon që shoqëria do të jetë futur në binarët e duhur të ecurisë, duke mundur dhe COVID-in. Në këtë situatë që jemi nuk është “fair-play”.

Unë nuk pashë ndonjë dominim të lojës. Pashë një lojë të ekuilibruar dhe në pjesën e dytë Partizani u shpreh më mirë. Ishte një faktor që ishte ekstra fushës së lojës. Më duket jo normale që të lejohen gjithë ata tifozë në stadium. Ne do të zbatojmë protokollin si të gjithë të tjerat. Po të jetë ashtu po bëjmë edhe ne kërkesë.  Le të lënë dhe Partizanin të luajë me kaq tifoz, jam dakord unë, nuk kam ndonjë problem. Le të rrinë tifozët, 1 në 5 karrige, 1 në 10 karrige, si të duan. I përshëndes edhe tifozët e Vllaznisë.

Mua nuk më tremb asnjë ekip. Garën e kemi me Partizanin sepse duhet të rritemi dhe të kalojmë vështirësitë tona. Procesi i rritjet do kohë. Shikoj ekipet që kanë një rritje. Përgëzoj Vllazninë, Kukësi po ecën me ritme të mira, Tirana është aty, Laçi dhe Teuta kanë ekipe serioze. Ne nuk shohim të tjerët, nuk shoh klasifikimin. Shoh lojën tonë dhe pres që çdo ditë të kemi përmirësim”, tha Rama. /abcnews.al