
Të paktën 12 ushtarë të qeverisë dhe luftëtarë kurdë në Kobani u vranë pas operacionit ushtarak turk që filloi në mesnatë.
Duke folur për një operacion shumë të mirëplanifikuar, në Qendrën Operative të Forcave Ajrore ishte i pranishëm edhe ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar, i shoqëruar nga komanda e forcave të armatosura.
Madje ministri turk i Mbrojtjes dha urdhër për fillimin e operacionit
Ministria turke njoftoi se operacioni u krye në bazë të të drejtave të vetëmbrojtjes që rrjedhin nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, me qëllim eliminimin e sulmeve terroriste nga Iraku verior dhe Siria. Qëllimi, thotë Ankaraja, është sigurimi i kufijve dhe eliminimi i terrorizmit në burimin e tij.
“Ju keni përfunduar me sukses operacionin. Ne jemi krenarë për këtë”, u tha Akar pilotëve në radio pasi bombardimet përfunduan dhe aeroplanët u kthyen në bazat e tyre.
“Qëllimi ynë është siguria e 85 milionë qytetarëve tanë dhe kufijve dhe t’i përgjigjemi çdo sulmi tradhtar ndaj vendit tonë,” tha Akar, i cili tha se operacioni kundër objektivave terroriste në Irakun verior dhe Siri që nga mesnata ishte planifikuar dhe ekzekutuar me kujdes.
Operacioni, tha ai, ishte planifikuar mirë për të shmangur viktimat civile.
“ Strehëzat, depot e terroristëve, shpellat, tunelet u shkatërruan me sukses të madh. I pamë nga afër. Shtabi i organizatës terroriste u godit dhe u shkatërrua me goditje direkte. Vetëm terroristët dhe strukturat që u përkisnin terroristëve u shkatërruan” , tha ai.
Në të njëjtin kontekst, ai shprehu vendosmërinë dhe aftësinë e Turqisë për të shpëtuar vendin dhe kombin nga terrorizmi.
Forcat kurde folën për “bombardim ajror nga ushtria turke” kryesisht në qytetin e Kobanit, në verilindje të Sirisë dhe në dy fshatra.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi 12 të vdekur, anëtarë të Forcave Demokratike Siriane dhe gjashtë ushtarë sirianë. Në total janë regjistruar më shumë se 20 goditje të ushtrisë turke
