Operacioni Shqipëri- Itali, reagon SPAK: Grupi i trafikimit të drogës u zbulua përmes përgjimeve, si u kapën 2 ton kokainë

0
39

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar lidhur me operacionin e përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë, kundër një rrjeti kriminal të trafikut të kokainës.

Sipas SPAK, gjithçka u zbulua mjetin e komunikimit të koduar, SkyEÇ dhe u bë e mundur kapja e mbi 2 ton kokainë, 45 kg hashash, 20 kg marijuanë, nga e cila, grupi kriminal do të kishte përfituar rreth 70 milionë euro.

“Grupi i strukturuar kriminal ishte aktiv si furnizues me shumicë i drogës në tregjet italiane. Dërgesat e drogës dërgoheshin nga Amerika e Jugut në kontejnerë, përmes porteve italiane (Livorno, Genova dhe Savona) dhe në vende të tjera evropiane. Kontejnerët ruheshin në portet e mbërritjes, ku ekipet e posaçme kujdeseshin për rikuperimin e lëndës narkotike dhe nxjerrjen e dërgesave nga zonat portuale, për t’i vënë më pas në dispozicion të grupeve kriminale. Për të lehtësuar operacionet e identifikimit dhe gjetjes së kokainës, grupi i strukturuar kriminal përdorte pajisje radiolokalizimi, ndërsa lënda fshihej brenda kontejnerëve të ngarkuar me mbulesë frutash ekzotike ose në hapësirat e posaçme të krijuara për këtë qëllim”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Reagimi i plotë i SPAK: 

Prej dhjetorit të vitit 2021, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore të krijuar me autoritetet gjyqësore italiane, konkretisht me Degën Rajonale të Prokurorisë Antimafia, Firence, Itali. Objekti i hetimit të këtij procedimi penal ishte goditja e trafikimit të sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt porteve detare italiane, kryesisht atij të Livornos.

Në vijim të hetimeve të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, në datën 05.11.2024 u realizua një operacion i përbashkët ndërkombëtar me pjesëmarrjen edhe të Eurojust. Në datën 05.11.2024 u ekzekutua vendimi për caktimin e masave të sigurimit nga Gjykata e Hetimeve Paraprake të Gjykatës së Firences, për subjekte të krimit të organizuar me shtetësi shqiptare, italiane, rumune, etj. Në total u arrestuan 23 persona në Itali (Toskanë, Kalabri, Lazio, Puglia, Campania, Lombardi, Veneto, Liguria) dhe 2 persona në Shqipëri. Kjo goditje e suksesshme është rezultat i punës së dy skuadrave të përbashkëta të hetimit afatgjatë (JIT), të mbështetura dhe të financuara nga Eurojust.

Hetimet ndaj rrjetit kriminal shqiptar u iniciuan nga Prokuroria e Firences në Itali, në vitin 2021. Po atë vit, u krijua ekipi i parë i përbashkët hetimor (JIT) mes autoriteteve italiane dhe shqiptare. Hetimet u mbështetën nga përgjimet e shkëmbimeve të informacionit mes organizatave kriminale, të cilat përdornin mjetin e komunikimit të koduar, SkyECC.

Grupi i strukturuar kriminal ishte aktiv si furnizues me shumicë i drogës në tregjet italiane. Dërgesat e drogës dërgoheshin nga Amerika e Jugut në kontejnerë, përmes porteve italiane (Livorno, Genova dhe Savona) dhe në vende të tjera evropiane. Kontejnerët ruheshin në portet e mbërritjes, ku ekipet e posaçme kujdeseshin për rikuperimin e lëndës narkotike dhe nxjerrjen e dërgesave nga zonat portuale, për t’i vënë më pas në dispozicion të grupeve kriminale. Për të lehtësuar operacionet e identifikimit dhe gjetjes së kokainës, grupi i strukturuar kriminal përdorte pajisje radiolokalizimi, ndërsa lënda fshihej brenda kontejnerëve të ngarkuar me mbulesë frutash ekzotike ose në hapësirat e posaçme të krijuara për këtë qëllim.

Nga hetimet e kryera është bërë e mundur kapja e mbi 2 ton kokainë, 45 kg hashash, 20 kg marijuanë – nga e cila, grupi kriminal do të kishte përfituar rreth 70 milionë euro –si edhe arrestimi në flagrancë i tre prej anëtarëve të këtij grupimi.

Në datë 05.11.2024, me autorizim të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nën drejtimin e Prokurorisë e Posaçme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka organizuar punën me skuadra, ku bënin pjesë dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, përfaqësues të Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Ambasadën Italiane në Tiranë, përfaqësues të Guardia di Finaza Itali dhe realizoi kryerjen e kontrollit të 18 banesave të personave të dyshuar, një pjesë e mirë rezidentë në Itali por dhe me banim në Shqipëri.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit arrestoi dy nga pjesëmarrësit në këtë grup të sktrukturuar kriminal, shtetasit M.N. dhe J.K. si dhe gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 20 000 euro, 52 ora të markave të ndryshme si psh. Rolex etj, 1 automjet tip Audi  RSQ8 i viti 2020 si dhe 3 celularë, ku 2 prejt tyre G Pixel, një armë zjarri pistoletë beretë me 15 fishekë, 3 celularë dhe pajisje të tjera.

Operacione të ngjashme janë duke u zhvilluar në Francë, Rumani dhe në vende të tjera të përfshirë.

Prokuroria e Posaçme falenderon Prokurorinë Antimafia të Firences, Itali dhe Guardia Di Finanza për bashkëpunimin e suksesshëm gjatë kryerjes së hetimeve në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore si dhe Eurojust e Europol që mbeshtetën nevojat për bashkëpunim dhe koordinim ndërkombëtar.

Gjithashtu, falenderojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për bashkëpunimin si gjatë fazës së hetimeve paraprake ashtu edhe gjatë ekzekutimit të masave të sigurimit dhe kryerjes së kontrolleve./abcnews.al