Partizani largohet me “kokën lart” nga Europa, barazimi në Elbasan Arena ndaj Astanës nuk mjafton

0
126

Partizani eliminohet me kokën lart në fazën Play Off të Conference League. Kampionët e Shqipërisë janë eleminuar në fazën “Play-Off” të Conference League përballë Astanës. Në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena” nuk mjaftoi rezultati 1-1, pas humbjes 1-0 të Partizanit në sfidën e parë.

Të kuqtë e filluan mirë ndeshjen, teksa në minutën e gjashtë Atanaskoski vendosi në provë portierin Condric. Ekipi i Zekic bën një gafë në prapavijë pak më vonë, duke i dhënë mundësinë Tomasov që të dalë vetëm para porte, por gjuajtja e tij u ndal nga shtylla.

Në zhvillimet e një këndorje, Partizani do merrte avantazhin, pasi Bintsouka u kordinua mirë me kokë, duke dërguar sferën në rrjetë. Në fillimin e pjesës së dytë, kazakët vendosën ekuilibrat në 1-1, me Tomasov që këtë herë ndëshkoi me të vërtetë portierin Qirko.

Në minutën e 54-të, Partizani kërkon penallti pas një rrëzimi të Rrapaj në zonë, por arbitri nuk ndan të njëjtin mendim. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha, rezultati nuk ndryshoi deri në fund, me djemtë e Zekic që pavarësisht eliminimit, meritojnë duartrokitjet e të gjithëve.